Pas largimit të Salsano Rrapit, kush e merr drejtimin e Portokallisë? Emri që po lakohet – Lajme Big Brother Vip
Në prag të fillimit të sezonit të ri, Top Channel po përgatitet për një sërë zhvillimesh të reja në programacionin e tij. Pas transformimeve që kanë ndodhur te emisioni “Përputhen”, fokusin e vëmendjes e ka marrë tashmë “Portokalli”. Informacionet e siguruara nga Vox News sugjerojnë se në këtë produksion humori do të ketë ndryshime thelbësore.
Në kuadër të këtyre ndryshimeve, emri i Agron Llakajt po lakohet si figura kryesore që pritet të marrë në dorë frenat e drejtimit. Bëhet me dije se ai do të ketë një përgjegjësi të dyfishtë, duke u shfaqur jo vetëm si prezantues, por edhe në cilësinë e regjisorit të spektaklit.
Kjo lëvizje vjen pas konfirmimit të largimit të moderatorit Salsano Rrapi nga “Portokalli”, si dhe largimit të Ilir Muhametajt nga pozicioni i regjisorit. Sidoqoftë, ndërprerja e bashkëpunimit të Salsano Rrapit me “Portokalli” nuk nënkupton një shkëputje përfundimtare nga ekrani i Top Channel.
Për më tepër, burime pranë televizionit të cituara nga Vox News konfirmojnë se po zhvillohen bisedime për ta angazhuar aktorin dhe moderatorin në një tjetër format televiziv të këtij televizioni.
Po ashtu, Ilir Muhametaj mbetet pjesë e stafit të Top Channel, pasi pritet të marrë përsipër drejtimin e një projekti tjetër brenda rrjetit.
Rikthimi i Agron Llakajt në krye të “Portokallisë” parashikohet të sjellë risi të shumta, duke qenë se ai do të mbajë njëkohësisht dy role kyçe: atë të moderatorit dhe të regjisorit të këtij spektakli të mirënjohur të humorit.