“Nuk kalon ditë pa e kërkuar”, Selvija flet për mungesën e Shpatit në jetën e djalit – Ora Info
Pothuajse një vit pas ndarjes nga jeta të këngëtarit të njohur Shpat Kasapi, bashkëshortja e tij, Selvije Jao, ka ndarë një dedikim mjaft prekës në rrjetet sociale, kushtuar dashurisë së tyre dhe djalit të tyre të vogël, Roelit.
Përmes disa fotove të ngrohta ku Shpati shihet pranë të birit, Selvija ka shprehur dhimbjen e madhe dhe mallin që ndjen çdo ditë për mungesën e tij në rritjen e të birit.
“Nuk ka ditë që të mos pyes veten si do të ndihej Shpati po ta shihte Roelin sot. Sa krenar do të ishte për çdo fjalë, hap e arritje të tij… por nuk ndryshohet dot caktimi i të Madhit Allah!”, ka shkruar ajo.
Më tej, Selvija ka theksuar përkushtimin e saj për të ruajtur të gjallë kujtimin e babait në mendjen e vogëlushit.
“Më dhemb shpirti që Roeli do të rritet pa babain që nuk kalon asnjë ditë pa mos e kërkuar… por unë do ta mbaj Shpatin gjallë në çdo kujtim e histori që do t’i tregoj. Do t’i flas për dashurinë e madhe dhe krenarinë që Shpati do të kishte për të”, është shprehur ajo.
Në përmbyllje të mesazhit të saj plot emocione, Selvija ka shprehur besimin se dashuria për këngëtarin nuk do të zbehet kurrë dhe se ai vijon t’i vështrojë nga lart:

“Dua të besoj se, sa herë Roeli buzëqesh, Shpati buzëqesh bashkë me të… diku atje lart. Dashuria për të nuk do të zbehet kurrë; do të jetojë në zemrën e Roelit, në çdo ëndërr, buzëqeshje dhe hap të tij”.