Nafta mund të lirohet në ditët në vijim, por vetëm me 1-2 cent

July 29, 2026


Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se çmimet e derivateve në Kosovë mund të shënojnë rënie në ditët në vijim, por jo në mënyrë të ndjeshme.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Kusari-Lila ka deklaruar se importi i naftës ka shënuar një rënie të vogël dhe se, nëse ky trend vazhdon, mund të ketë ulje të çmimeve.

“Tash nëse vazhdon me të njëjtin cikël ashtu siç ka filluar dje, mund të shohim prej ditëve në vijim rënie të çmimeve por nuk është dramatike, domethënë po flasim për 1 cent, 2 cent. Importi mbrëmë ka shënuar një rënie të vogël 1 cent në raport me ditët paraprake, dhe kështu nëse vazhdon atëherë unë uroj që të kthehet se e patëm një periudhë kohore gati se 20 cent dallimi me atë çfarë e kemi çmimin aktualisht”, tha ajo.

Kusari-Lila ka thënë se MINTI po e shqyrton vazhdimin e masës për përcaktimin e çmimit maksimal dhe marzhës së fitimit për naftëtarët, duke theksuar se kjo masë, sipas saj, ka ndikuar në mbrojtjen e konsumatorëve nga rritjet e menjëhershme të çmimeve.

“Ka disa muaj tash që ministria që drejtoj ka marrë vendimin për përcaktimin e marzhës së fitimit, dhe mbajtjen e çmimit tavan tek derivatet e naftës. Ajo çka kemi filluar se aplikuar nga muaji prill është mesatarja e 10 milion litrave të importuara me shtesën e marzhës së fitimit të lejuar për naftarët. Në situatat kur ka ngritje të çmimit, kjo është një masë e cila e amortizon ngritjen e menjëhershme. Do të thotë për arsye se merr parasysh edhe importin e disa ditëve më herët në mesatare të përgjithshme. Por edhe rënia kur fillon tek ne reflektohet në mënyrë graduale. Do të thotë kur ka rritje të menjëhershme të çmimit mbron konsumatorin, kur ka rënie prapë ajo reflektohet po më gradualisht që në një farë forme është si neutralizues midis lëvizjeve të shpejta të çmimit. Prandaj edhe tek importi, çmimi i importuar, se ne nuk jemi shtet i cili prodhon apo ka rafineri të naftës, nuk vërehen ndryshimet e menjëhershme të cilat po vërehen në bursat ndërkombëtare”, tha ajo, transmeton Klankosova.tv.

Sipas saj, nëse nuk do të ishte kjo masë, çmimi i naftës do të mund të ishte edhe më i lartë, për shkak të rritjes së kërkesës gjatë sezonit të verës.




Source link