29-vjeçari tenton t’i qëllojë me armë dasmorët
32
Një 29-vjeçar është arrestuar dhe përballet me disa akuza të rënda, pasi dyshohet se tentoi të qëllonte një të ftuar gjatë një dasme në Oregon, në ShBA.
Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës së së dielës, më 26 korrik, në zonën e Odell. Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Hood River, policia u njoftua për një person që kishte kërcënuar se do të qëllonte një tjetër të pranishëm në festën e dasmës.
Kur një efektiv mbërriti në vendngjarje dhe po merrte deklaratën e denoncuesit pranë automjetit të tij, një person doli nga një pemëtore në anën tjetër të rrugës dhe hapi zjarr disa herë në drejtim të tyre. Fatmirësisht, askush nuk u plagos.
Autori u largua menjëherë duke u futur sërish në pemëtore, ndërsa polici arriti t’i vendoste në siguri të pranishmit duke i strehuar pas automjeteve.
Pas hetimeve, autoritetet identifikuan si të dyshuar Abraham Delgado Bucio, 29 vjeç, banues në The Dalles, Oregon. Sipas hetuesve, ai fillimisht kishte kërcënuar të ftuarit dhe më pas kishte tentuar të qëllonte një prej tyre gjatë dasmës. Madje, ai kishte tërhequr këmbëzën e armës, por arma nuk ishte shkrepur.
Më vonë, një automjet që dyshohej se lidhej me të u lokalizua nga policia. Pas një ndjekjeje të koordinuar me disa agjenci ligjzbatuese, Bucio u arrestua pa bërë rezistencë.
29-vjeçari tashmë përballet me akuza për përdorim të paligjshëm të armës, kanosje, prishje të rendit publik, sulm të shkallës së parë dhe drejtim të armës së zjarrit ndaj një personi.