“E lidhur me ventilator”, kjo është gjendja e 18-vjeçares që u lëndua në aksidentin në Komoran
22
18-vjeçarja, e cila mbeti e lënduar rëndë në aksidentin tragjik të djeshëm në Komoran, vazhdon të trajtohet në Mjekimin Intensiv Qendror të QKUK-së.
Për gjendjen e saj shëndetësore ka folur për Klankosova.tv shefi MIQ, Shaqir Uka, i cili tha se parametrat jetësorë të pacientes janë relativisht stabilë.
“Parametrat vitale i ka relativisht stabile. Po vazhdon monitorimi i saj nga ekipi mjekësor. E ka marrë terapinë sipas protokolleve të parapara dhe nevojave të pacientit”, deklaroi Uka.
Ai bëri të ditur se 18-vjeçarja vazhdon të mbahet në gjumë të induktuar me barna dhe është e lidhur me ventilator.
“Ajo po mbahet e fjetur me barna dhe e lidhur me ventilator. Po presim”, theksoi ai.
Në aksidentin e rëndë që ndodhi mëngjesin e të martës në Komoran humbi jetën motra e saj, 24-vjeçarja Rea Raka.