E sulmoi me thikë dhe tentoi ta djegë të gjallë ish-të dashurën, autori në arrati
4
Një grua 33-vjeçare është plagosur rëndë pasi dyshohet se u sulmua me thikë dhe më pas iu vu zjarri nga ish-partneri i saj në një strehë për persona të pastrehë në Berlin.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:20 në rrugën Wexstrasse, ku zjarrfikësit, policia, një mjek urgjence dhe një helikopter shpëtimi ndërhynë pas raportimit të incidentit, transmeton Klankosova.tv
Sipas policisë, pas një grindjeje, i dyshuari 44-vjeçar e sulmoi gruan me thikë, e spërkati me benzinë dhe i vuri flakën, përpara se të arratisej nga vendi i ngjarjes, raporton Bild. Jeta e 33-vjeçares u shpëtua falë reagimit të shpejtë të një fqinji 39-vjeçar, i cili i shoi flakët me një batanije dhe më pas njoftoi policinë dhe shërbimet emergjente.
Gruaja u dërgua në spital me plagë të rënda nga thika dhe djegiet, ndërsa fqinji nuk pësoi lëndime.
Policia ka nisur kërkimet për autorin, i cili mbetet në arrati. Hetimet po zhvillohen për sulm të rënduar, ndërsa autoritetet besojnë se të gjithë të përfshirët janë shtetas gjermanë.