Rastësi? Dua Lipa heq fotot nga vila në jugun e Shqipërisë
1
Dua Lipa ka fshirë nga profili i saj në Instagram disa nga fotografitë që dokumentonin pushimet e saj të lumtura në Kep Merli. Ato pamje, të cilat ajo i ndante me miliona ndjekës dhe në të cilat dukej e magjepsur nga bukuritë e natyrës shqiptare, tani nuk gjenden më në llogarinë e saj zyrtare.
Siç raporton Vox News, ky pastrim vjen në një periudhë kur këngëtarja ka tërhequr vëmendjen me qëndrimet e saj mbi zhvillimet në vend dhe kur detaji që familja e saj ka vilën e vet në Kep Merli po merr rëndësi të veçantë në këtë kontekst.
Në një intervistë të fundit në podcastin e Lea Ypit, Dua Lipa foli me pasion për protestat kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe shprehu mbështetje për mbrojtjen e natyrës.
Ishte një moment që u vlerësua nga shumëkush. Megjithatë, koha e fshirjes së atyre fotove nga Kep Merli ka ngjallur pyetje, edhe pse mund të jetë thjesht një spastrim i zakonshëm i profilit ose një rifreskim estetik, siç ka ndodhur herë të tjera në të kaluarën.
Ajo zonë, ku Dua Lipa dhe familja e saj kanë vilën e tyre, është pjesë e një zone të mbrojtur dhe ka qenë në qendër të debateve për mënyrën se si po zhvillohet bregdeti. Për vite me radhë këto imazhe ishin bërë një kartolinë e bukur për turizmin e Shqipërisë dhe ishin përdorur nga qeveria për të treguar një imazh pozitiv të vendit. Edi Rama shpesh i përmendte ato si shembull të Shqipërisë që të gjithë e duan. Sot, kur pyetjet mbi ndërtimet janë shtuar, ato foto nuk janë më aty.