Një përplasje e fortë është shënuar këtë të enjte në ambientet e Aeroportit të Vlorës, ku një takim zyrtar për ecurinë e punimeve ka degjeneruar në debat verbal deri dhe përplasje fizike mes përfaqësuesve të palëve të përfshira në projekt.
Takimi ishte thirrur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në një moment kur afatet për hapjen e aeroportit po afrohen dhe konfliktet mes aksionerëve kanë nisur të ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë e investimit.
Sipas burimeve nga vendngjarja, përfaqësuesit e kompanisë MABCO të biznesmenit Behgjet Pacolli, nuk janë lejuar të marrin pjesë në mbledhje.
Ndërhyrja është bërë nga strukturat e sigurisë të shoqërisë koncesionare, të cilat veprojnë nën administrimin e përfaqësuesve të lidhur me aksionerin minoritar.
Moslejimi i tyre është arsyetuar me një vendim gjykate që ka pezulluar përkohësisht kompaninë e Pacollit nga procesi i administrimit të projektit të Aeroportit të Vlorës.
Situata ka sjellë tension të menjëhershëm në ambientet e kantierit, ku burimet raportojnë për debat të ashpër dhe përplasje mes përfaqësuesve të palëve, duke nxjerrë në pah konfliktin e hapur për kontrollin e projektit.
Në një reagim zyrtar, kompania MABCO e cilëson ngjarjen si një precedent të rëndë dhe të papranueshëm, duke theksuar se përfaqësuesit e saj ishin të ftuar zyrtarisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sipas kompanisë, ndalimi i hyrjes është bërë mbi bazën e një vendimi të njëanshëm nga administratori i emëruar nga aksioneri minoritar, i cili zotëron vetëm 2% të aksioneve në projekt.
MABCO ngre shqetësimin se kjo nuk është një ngjarje e izoluar, por pjesë e një sjelljeje të vazhdueshme që, sipas saj, po pengon aktivitetin normal në kantier. Kompania pretendon se janë bllokuar inxhinierë, nënkontraktorë dhe staf teknik, ndërsa situata është përshkallëzuar deri në pengimin e drejtpërdrejtë të përfaqësuesve të shtetit./skyweb.al