“Atë gishtin fute në…”/ Pasi e ofendoi, Grida Duma nxjerr nga studio të ftuarin! Përplasje sendesh nga nervozizmi… (VIDEO)
Një situatë tepër e tensionuar dhe e pazakontë është shënuar mbrëmjen e sotme në studion e emisionit “Top Story”, ku debati mes moderatores Grida Duma dhe Drejtorit të Komunikimit në PD, Alfred Lela, ka degraduar në ofendime personale dhe braktisje të transmetimit të drejtpërdrejtë.
Gjithçka ka nisur gjatë një diskutimi të nxehtë lidhur me ngjarjen e fundit të rëndë në kryeqytet, ku një pallat 12-katësh pranë zonës së QSUT-së u përfshi masivisht nga flakët.
Tensioni në studio u ndez kur moderatorja kërkoi llogari nga përfaqësuesi i PD-së se përse deputetët e opozitës (të cilët ajo i quajti “fresk”) nuk kishin shkuar fizikisht pranë pallatit të djegur për të parë situatën nga afër dhe për të mbështetur qytetarët.
Në përpjekje për të devijuar apo ironizuar presionin e Gridës, Lela përdori një metaforë futbollistike duke i thënë: “Topi është i joti, penalltinë gjuaje vetë.”
Ky koment nuk u prit aspak mirë nga Duma, e cila ia preu shkurt: “Se ç’do të thotë ‘Topi’ ta tregoj unë tani. Te fusha ime nuk gjuan dot penallti ti!”
Teksa debati po ashpërsohej, moderatorja përdori gjuhën e trupit duke i drejtuar gishtin analistit, veprim i cili shkaktoi një shpërthim të vërtetë të këtij të fundit.
I revoltuar, Lela kaloi në një fjalor mjaft të rëndë për ekranin: “Gishtin mua mos ma drejto, se nuk jam as nxënësi jot, as rrogetari jot! Atë gishtin fute ku të duash!”
Përballë këtij reagimi banal, Grida Duma nuk ka toleruar më, duke i treguar menjëherë derën të ftuarit për mungesë etike.
“Ta drejtoj gishtin 100 herë, të nxjerr dhe jashtë sa herë të dua për mungesë etike!” – ia ka kthyer ajo prerë.
Pas këtij momenti, Alfred Lela është ngritur furishëm nga karrigia dhe ka braktisur emisionin, teksa gjatë largimit ka përplasur me nervozizëm të madh sendet e tij mbi tavolinën e vogël përbri.
Kjo video e paprecedentë po shpërndahet me shpejtësi dhe tashmë është kthyer në kryefjalën e rrjeteve sociale!