Grida Duma thyen heshtjen për postin e zv.kryeministres dhe zbulon cfare do te ndodhe me Top Story – Lajme Big Brother Vip
Top Channel zyrtarizoi vazhdimësinë e moderatores Grida Duma në krye të formatit “Top Story”. Përmes një publikimi në rrjetet sociale, televizioni ka ndarë promon e sezonit të ri, i cili pritet të startojë ditën e hënë, më 7 shtator.
Ndonëse së fundmi ishte aluduar për një ndërprerje të mundshme të bashkëpunimit, drejtuesit e ekranit të njohur i kanë besuar përsëri Dumës drejtimin e emisionit kryesor të aktualitetit. Kujtojmë se ajo u bë pjesë e këtij formati në mars të vitit 2022, menjëherë pas largimit të saj nga posti i deputetes së Partisë Demokratike.
Nga ana tjetër, gjatë së enjtes, Duma zgjodhi t’i mbyllë përfundimisht spekulimet lidhur me një kalim të mundshëm të saj në postin e zv.kryeministres në kabinetin qeveritar të zotit Rama.
“Flini të qetë”, ka qenë përgjigjja e Dumës për të gjithë ata që e kanë vendosur në skenarët e tyre politikë. Ajo theksoi se nuk dëshiron të zëvendësojë askënd dhe, nëse do të zgjedhë të rikthehet në politikë, ajo do ta bëjë këtë me vendim të mirëmenduar, duke u futur në sistem nga “porta e saj”.
“Nëse një ditë unë do të kem vendimmarrjen time për të hyrë në politikë, do të hyj nga porta ime, nuk i bie portës së askujt për të hyrë në politikë dhe as nuk i pres këto ftesa-thirrje, sepse thirrjen në politikë e kam pasur dhe do ta kem gjithmonë vetë. Vendimi im për të hyrë në politikë do të jetë sepse unë kam diçka për t’i kërkuar Shqipërisë, sepse kam diçka për të ofruar në ato çaste Shqipërisë”, thotë Duma ndër të tjera.