Nuk iu pëlqente, plaku me plaken ikin nga shtëpia e të moshuarve – u panë në qendër tregtare
1
Një çift i moshuar është gjetur pas një kërkimi 32-orësh, pasi ishte larguar nga qendra e kujdesit ku jetonte, pasi dyshohet se nuk ishte i kënaqur me qëndrimin aty.
Colin Geraghty, 89 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Claudette, 83 vjeçe, u larguan nga Ryman Nellie Melba Retirement Village në juglindje të Melburnit, Australi, rreth orës 11:15 të së shtunës, raporton Mirror, transmeton Klankosova.tv.
Çifti më pas shkoi në qendrën tregtare Glenn Shopping Centre, ku bleu ilaçet e tyre, përpara se të largohej rreth mesditës me makinën e tyre të bardhë, një Mazda 2 e vitit 2015.
Alarmi u dha nga fqinja e tyre, Sharon Jeikishore, e cila tentoi t’i kontaktonte gjatë pasdites, por nuk mori përgjigje. Edhe vajza e çiftit, Linda McKelvie, ishte e shqetësuar, pasi babai i saj vuan nga Alzheimeri, ndërsa nëna e saj jeton me demencë vaskulare dhe ka probleme me kriza.
Pas rreth 32 orësh kërkimesh, çifti u gjet të dielën në mbrëmje në Maryborough, në veriperëndim të Melburnit.
Vajza e tyre tha se besonte se prindërit e saj nuk ishin të lumtur në qendrën e kujdesit, ku ishin vendosur vetëm të martën e kaluar.
Policia ishte njoftuar edhe më herët gjatë javës, pasi çifti kishte tentuar për herë të parë të largohej nga qendra, transmeton Klankosova.tv.
“Besoj se fakti që ata kishin qenë së fundmi në kujdes të përkohshëm e bëri këtë ndryshim shumë të madh për ta. Ata nuk e pëlqenin të qenit në kujdes dhe mendoj se thjesht donin të ishin përsëri bashkë në shtëpi”, tha Linda.
Ajo shtoi se babai i saj mendon se mund ta ndihmojë bashkëshorten e tij dhe se të dy ndihen sikur po humbin kontrollin mbi zgjedhjet e tyre
