Rusia e gatshme të marrë uraniumin e pasuruar të Iranit
1
Diplomati më i lartë i Rusisë, Sergei Lavrov, ka përsëritur të mërkurën se Moska është e gatshme “të luajë një rol në zgjidhjen e problemit të uraniumit të pasuruar” në Iran.
“Ky rol mund të marrë shumë forma, duke përfshirë ripërpunimin e uraniumit të pasuruar shumë në uranium të gradës së karburantit, duke transferuar një sasi të caktuar në Rusi për ruajtje”, ka thënë Sergey Lavrov gjatë vizitës së tij në Pekin.
“Çdo gjë që është e pranueshme për Iranin, e përsëris, pa shkelur të drejtën e tij të patjetërsueshme, si të drejtën e çdo shteti tjetër, për të pasuruar uranium për qëllime paqësore”, u ka thënë Lavrov gazetarëve në Pekin, ku ai ishte në një vizitë dyditore, ka shtuar ministri i Jashtëm rus.
Rusia ishte pjesë e marrëveshjes së vitit 2015 midis Iranit dhe gjashtë fuqive bërthamore, që ofronte lehtësim të sanksioneve për Teheranin në këmbim të frenimit të programit të tij atomik dhe hapjes ndaj një shqyrtimi më të gjerë ndërkombëtar. Si pjesë e marrëveshjes, Moska kishte tërhequr sasi të mëdha të uraniumit të pasuruar nga Irani.
Kremlini i kishte ofruar mbështetje politike Iranit kur SHBA-ja u tërhoq njëanshëm nga marrëveshja gjatë mandatit të parë të Donald Trumpit.
Rusia dhe Kina “mbështesin fuqimisht” bisedimet për t’i dhënë fund tensioneve në Lindjen e Mesme, “në mënyrë që palët të mund të avancojnë qëllime realiste dhe të drejta, duke respektuar plotësisht të drejtat legjitime të secilës palë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, ka theksuar Lavrov.