Taulant Balla tërhiqet nga dënimi i Elisa Spiropalit, Belinda Balluku mobilizon “kamikazët” dhe financon mediat e saj

April 21, 2026


Taulant Balla tërhiqet nga dënimi i Elisa Spiropalit, Belinda Balluku mobilizon “kamikazët” dhe financon mediat e saj për të kryqëzuar ish-ministren e Jashtme, ja ç’po ndodh brenda PS
Deputetët e Partisë Socialiste zhvilluan dje mbledhjen e radhës së grupit parlamentar në Kryesinë e Kuvendit, e drejtuar nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Në një prononcim për mediet pas mbledhjes, Balla është pyetur nga mediat nëse ka një vendimmarrje për deputeten socialiste, Elisa Spiropalin, lidhur me mungesën e saj në Kuvend ditën e votimit për imunitetin e ish-zv/kryeministres Belinda Ballukut, por edhe për disa kritika që ish-ministrja e Jashtme ka adresuar ndaj Partisë Socialiste.

Ndryshe nga sa kishte paralajmëruar, z. Balla u duk i tërhequr nga vendimi për të dënuar apo ndëshkuar ish-ministren Spiropali, ndërsa theksoi se në PS ka një rregull, që çdo fund sesioni bëjnë një analizë për punën dhe performancën e çdo deputeti, dhe sipas tij, atëherë do të ketë dhe një vendim për deputeten “rebele” të Partisë Socialiste. “Ne kemi një rregull që në çdo fund sesioni bëjmë një analizë të performancës së çdo deputeti të PS, dhe kur të dorëzohet raporti, më pas kërkohet përmirësim pune apo çështje të tjera.

Zonja Spiropali nuk ka shprehur shqetësim në mbledhje të grupit të PS”, deklaroi dje Balla. Ndërkohë nga ana tjetër mësohet se ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku është hedhur në sulm kundër ish-ministres Spiropali, të cilën e konsideron “armike”. Mësohet se zonja Balluku ka mobilizuar media pranë saj, duke i sponsorizuar, në mënyrë që ato të sajojnë dhe publikojnë lajme të rreme dhe denigruese kundër deputetes socialiste, Elisa Spiropali. Po ashtu, ka dyshime se me urdhër të ish-zv/kryeministres Balluku “kamikazë” të tatimeve po iu bëjnë presion familjarëve të Spiropalit, duke i kërcënuar me gjoba dhe kontrolle. Pra kjo situatë tregon se kemi një luftë të fortë në prapaskenë mes Belinda Ballukut dhe Elisa Spiropalit.

Megjithatë në këtë betejë që ka nisur gjasat janë që e fituar të dalë ish-ministrja Spiropali, për shkak se ajo gëzon mbështetjen e socialistëve dhe ndërkombëtarëve, ndërsa zonja Balluku është një hap larg burgut për shkak se po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) si e dyshuar në manipulime në tendera dhe presion ndaj dëshmitarëve. Hetimi ka nisur për Tunelin e Llogarasë (190 milion euro) dhe Unazën e Madhe të Tiranës, dhe është zgjeruar për të përfshirë koncesionin Thumanë–Kashar (245 milion euro) dhe tenderë të tjerë publikë, gjithsej rreth 600 milion euro.

Prokuroria Speciale ka evidentuar se Balluku ka ushtruar presion ndaj vartësve të saj dhe ka ndërhyrë në procesin e prokurimeve, duke favorizuar kompani të caktuara. Kështu që e gjithë kjo panoramë tregon qartë se Balluku e ka të humbur luftën ndaj Spiropalit, për shkak se ajo tashmë ka rënë në rrjetën e SPAK dhe zor se do të dalë e pafajshme nga gjithë këto akuza që i janë ngritur asaj.

Çfarë ka ndodhur?

Nga ana tjetër, kujtojmë se ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali mungoi në votimin për Ballukun, gjatë seancës ku u kërkua leja për arrestimin e saj nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Asokohe, Taulant Balla deklaroi publikisht se për këtë dalje të Spiropalit nga rreshti i partisë do të vendoste Grupi i PS. “Nuk i marr vetëm vendimet, i marr me grupin parlamentar, do të pyes dhe grupin parlamentar për këtë çështje”, pati deklaruar Balla i pyetur nga gazetarët. Menjëherë pas deklaratës së Ballës pati reaguar Spiropali duke e sfiduar partinë, “Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike.

Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë. Thirrje grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë. Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr. Rëndësi ka që vendimi të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kemi përballë publikut”, shkruante Spiropali si kundërpërgjigje.

Mirëpo pak javë më vonë, më konkretisht dje (20.04.2026) kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla në një deklaratë për mediat u pyet nëse ka një vendimmarrje për Elisa Spiropalin, lidhur me mungesën e saj në Kuvend ditën e votimit për imunitetin e Belinda Ballukut është zbythur nga deklarata e mëparshme se do mblidhte grupin ta pyeste për të qortuar apo jo Elisën dhe e ka çuar çështjen në një kohë të pacaktuar, praktikisht për në korrik, kur çështja të jetë harruar.

Nga deklarata e sotme e Ballës para gazetarëve, ku tha se, “Ne kemi një rregull që në çdo fund sesioni bëjmë një analizë të performancës së çdo deputeti të PS, dhe kur të dorëzohet raporti, më pas kërkohet përmirësim pune apo çështje të tjera. Zonja Spiropali nuk ka shprehur shqetësim në mbledhje të grupit të PS”, kjo deklaratë e djeshme tregon se dorashkën që i hodhi Spiropalit publikisht se do ta qortonte fill pas mosvotimit për Belindën, Taulanti e ka marrë dhe e ka future në xhep.



Source link