Një situatë që ka ngjallur reagime të forta dhe indinjatë tek ndjekësit ka ndodhur së fundmi në shtëpinë e “Ferma VIP”.
Ajo që nisi si një shaka mes banorëve, ka degraduar në një veprim që, jashtë mureve të fermës, është cilësuar gjerësisht si i papranueshëm.
Pas përfundimit të gatimit, Iliri ka nisur të ngacmojë Mimoza Ahmetin, duke i thënë me humor se kishte ruajtur një “bisht pule” posaçërisht për të. Por, situata mori një rrjedhë tjetër kur Iliri, i ndihmuar nga Adioni, e kanë kapur Mozën fizikisht, e kanë shtrirë dhe e kanë detyruar t’ia fusin ushqimin me pahir në gojë.
Ndonëse mes fermerëve ky moment kaloi me të qeshura dhe u trajtua thjesht si një “lojë”, publiku e ka përjetuar krejtësisht ndryshe. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale janë “përmbytur” nga komente negative ndaj djemve.
Ndjekësit e kanë dënuar ashpër këtë veprim, duke e quajtur të tepruar dhe duke kërkuar përjashtimin e tyre.
Pavarësisht se vetë Moza zgjodhi ta kalonte me sportivitet, nuk e dramatizoi dhe nuk u viktimizua nga kjo situatë, ndjekësit e formatit theksojnë se veprime të tilla fizike, të bëra kundër dëshirës së personit, nuk duhet të normalizohen në ekran.
Mbetet për t’u parë nëse produksioni do të ketë një reagim lidhur me këtë ngjarje që ka trazuar ujërat në rrjet.