Nuk solli prova, ka prona të tjera

April 2, 2026


Gjykata e Posaçme ka vendosur datën 7 prill për t’u shprehur për kërkesën e bërë nga çifti Argita e Jamarbër Malltezi, vajzës dhe dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, për lirimin e 25 pasurive të sekuestruara më herët nga SPAK për llogari të dosjes “Partizani”.

Prokurorja e Posaçme Enkeleda Millonai, në seancën e sotme u shpreh se Jamarbër Malltezi zotëron edhe prona të tjera që nuk janë sekuestruar dhe nuk ka sjellë asnjë provë se i mungon aftësi paguese.

“Për pretendimin cenim aksesi, edhe nga gjykimi ka rezultuar se Malltezi zotëron dhe prona të tjera. Ai nuk solli asnjë provë se i mungon aftësia paguese”, shprehet SPAK.

Ndërkohë Malltezi është shprehur në sallë se gjyqi ndaj tij dhe pasurive të tij është luftë klasash.

“Jemi të bindur se tejzgjatja e sekuestrimit të pasurive i sjell subjektit impakt në situatën e tij financiare e familjare. Kemi depozituar një ekstrakt se llogaritë e tij janë zero”, tha avokati Klodian Skënderaj.

Millonai e kundërshtoi këtë argument duke pohuar se zbrazja e llogarive nuk provon pamundësinë financiare.

Dosja për aferën ‘Partizani’ kaloi për gjykim më 19 maj 2025. Në të përfshihet edhe kryetari i PD, Sali Berisha që do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.

Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion, por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Ortaku i Malltezit, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.



Source link