Gjyqtari penal i Guajakilit, Ángel Tapia, u vu në pranga më 13 mars 2026 në pjesën veriore të qytetit, nën dyshimet për ushtrim ndikimi të paligjshëm dhe lidhje të mundshme me rrjete të krimit të organizuar, mes tyre edhe një strukturë që autoritetet e lidhin me mafien shqiptare në Ekuador. Ai ishte pezulluar nga detyra që prej 18 janarit nga Këshilli i Gjyqësorit, pasi kishte pranuar një kërkesë “habeas corpus” që çoi në lirimin e një të dyshuari të njohur me nofkën “Odin”, i konsideruar pjesë e një organizate kriminale të drejtuar nga Jezdimir Srdan.
Sipas Prokurorisë, gjatë periudhës së pezullimit Tapia dyshohet se ka tentuar të ndikojë një tjetër gjyqtare për të siguruar lirimin e një të pandehuri të përfshirë në një çështje zhvatjeje dhe rrëmbimi. Hetuesit e cilësojnë këtë veprim si ndërhyrje të paligjshme në proceset e drejtësisë. Vetë gjyqtari i ka hedhur poshtë akuzat, duke deklaruar se nuk ka kërkuar favore për askënd, por vetëm ka sugjeruar shqyrtimin e një çështjeje procedurale. Edhe mbrojtja e tij e ka konsideruar arrestimin të pajustifikuar dhe pa prova të mjaftueshme.Prej 14 marsit, Tapia mbahet në paraburgim në burgun e Litoralit në Guajakil. Avokatët e tij kanë kërkuar masa shtesë sigurie, duke argumentuar se jeta e tij mund të jetë në rrezik dhe se ai nuk duhet të vendoset në të njëjtën zonë me të burgosurit e tjerë.
Ndërkohë, Këshilli i Gjyqësorit është përfshirë zyrtarisht në çështje, duke u vetëpërcaktuar si palë e dëmtuar. Institucioni ka theksuar se veprime të tilla minojnë integritetin dhe besimin publik te sistemi i drejtësisë, ndërsa nuk përjashton mundësinë e ndjekjes së rrugës ligjore për kërkimin e dëmshpërblimit.