Ndalohet publikimi i pamjeve nga incidentet me raketa dhe dronë
3
Ambasada e Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka dal me një njoftim të ri për qytetarët e Kosovës që ndodhen atje.
Përmes një postimi në Facebook, nga kjo Ambasadë ka thënë se në përputhje me legjislacionin dhe rregullat e brendshme në fuqi në vendi pritës, ndalohet rreptësisht fotografimi, incizimi apo shpërndarja e pamjeve dhe informacioneve nga vendet ku ndodhin incidente të lidhura me raketa apo dronë, si dhe publikimi i vendndodhjeve të këtyre incidenteve në rrjete sociale apo platforma të tjera.
“Autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe zbatojnë masa të rrepta ligjore ndaj çdo shkeljeje, përfshirë: gjoba të larta financiare, dënime me burg, konfiskim të pajisjeve elektronike si dhe deportim të shoqëruar me ndalim të rikthimit në vend”, thuhet në njoftim.
Ambasada u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të respektojnë me përpikëri ligjet dhe rregullat në fuqi dhe të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë dhe rendit publik në vendin ku jetojnë dhe veprojnë.