SPAK investon 5 mln euro për përgjime të avancuara, në lojë IMSI Catcher dhe sisteme të reja interceptimi

March 15, 2026


Nga telefonat te të dhënat e internetit, SPAK forcon sistemin e përgjimeve

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po forcon ndjeshëm kapacitetet e saj të përgjimit dhe monitorimit elektronik.

Sekuestrimi i telefonave dhe përgjimi telefonik mbeten baza e hetimeve të SPAK, por vitit 2026 duket se do të sjellë tërmet në botën e krimit dhe politikës, pasi SPAK ka shpenzuar plot 5.1 milionë euro për dy projekte në këtë aspekt. Bëhet fjalë për prokurimin e pajisjes të përgjimit IMSI Catcher dhe modernizimin e sistemit ekzistues të përgjimit, sipas raportit zyrtar të institucionit.

Projektet janë miratuar me vendimin nr.188, datë 9 qershor 2025, nga Komiteti Ndërinstitucional për Masat Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe pritet të realizohen gjatë vitit 2026.

IMSI Catcher, teknologjia për identifikimin dhe kapjen e telefonave

Një nga elementët kryesorë të investimit është IMSI Catcher, një pajisje teknologjike që përdoret nga agjencitë ligjzbatuese për të identifikuar dhe monitoruar telefonat celularë në një zonë të caktuar.

Kjo pajisje funksionon duke simuluar një antenë telefonike, duke bërë që telefonat në afërsi të lidhen me të. Në këtë mënyrë, autoritetet mund të identifikojnë numrat IMSI (International Mobile Subscriber Identity) të kartave SIM dhe të lokalizojnë pajisjet që përdoren nga persona nën hetim.

Sipas të dhënave të raportit, kostoja e vlerësuar për këtë pajisje është rreth 1.8 milionë euro. Teknologjia konsiderohet një mjet i rëndësishëm për hetimet ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, pasi mundëson identifikimin e pajisjeve edhe kur përdoren karta SIM të ndryshme ose telefona të përkohshëm.

Modernizimi i sistemit të përgjimit

Paralelisht me këtë investim, SPAK ka parashikuar edhe përditësimin e sistemit të përgjimit në versionin më të fundit MC22, një proces që përfshin disa përmirësime teknike.

Sipas raportit, modernizimi përfshin:

-Përditësimin e softuerit të sistemit në versionin MC22, i cili rrit stabilitetin dhe kapacitetet e analizës së të dhënave;

-Shtimin e modulit IP Data (MPD), që mundëson interceptimin dhe analizimin e komunikimeve përmes internetit, si trafiku i të dhënave dhe komunikimet digjitale;

-Rritjen e kapacitetit të ruajtjes së të dhënave (data storage), duke lejuar arkivimin e një sasie më të madhe informacioni të përgjuar.

Kostoja e këtij projekti arrin në 3.3 milionë euro.

Rritje e përgjimeve dhe kapaciteteve hetimore

Raporti i SPAK tregon se përdorimi i përgjimeve mbetet një nga instrumentet kryesore të hetimeve. Gjatë vitit 2025 janë interceptuar 3004 pajisje fundore, kryesisht telefona celularë të personave nën hetim.

Sipas raportit, në disa raste nga përgjimet janë identifikuar edhe fakte të reja penale jashtë objektit fillestar të hetimit, duke çuar në regjistrimin e procedimeve të reja penale.

Në të njëjtën kohë, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka ngritur edhe Seksionin e Përgjimit Parandalues, ndërsa hetuesit kanë rritur aksesin në 22 databaza kombëtare dhe 3 ndërkombëtare, me negociata në zhvillim për akses në institucione të tjera dhe në platformën evropiane EMPACT. /Pamfleti



Source link