Mësimdhënësja Edita Qosa – një jetë në shërbim të dijes
2
Në bankat e shkollës fillon udhëtimi drejt dijes, ndërsa mësuesit janë ata që e ndriçojnë këtë rrugë për brezat e rinj. Një nga këta emra që për vite me radhë i ka qëndruar besnike misionit të arsimit është edhe mësimdhënësja Edita Qosa, e cila prej më shumë se dy dekadash edukon dhe formon gjenerata nxënësish në SHFMU “Naim Frashëri”.
Me një përvojë 27-vjeçare në arsim, ajo është bërë një figurë e njohur dhe e respektuar në komunitetin shkollor. Përkushtimi i saj ndaj profesionit dhe dashuria për nxënësit kanë bërë që shumë breza të kalojnë nëpër duart e saj, duke marrë jo vetëm dije, por edhe vlera që i kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës.
Pikërisht për këtë kontribut të çmuar, për vitin shkollor 2025/2026, pas një procesi propozimi dhe votimi të lirë e transparent, të bazuar në kritere profesionale dhe pedagogjike, ajo është shpallur Mësimdhënësja e Dalluar e SHFMU “Naim Frashëri”.

Edita Qosa njihet për profesionalizmin e lartë dhe përkushtimin e vazhdueshëm në punën e saj. Në procesin mësimor ajo përdor qasje bashkëkohore dhe metoda inovative, duke vendosur gjithmonë nxënësin në qendër të mësimit. Për të, shkolla nuk është vetëm vendi ku përcillet dija, por edhe hapësira ku formohen personalitete të reja, me vlera njerëzore dhe qytetare.

Përveç realizimit cilësor të plan-programeve mësimore, ajo është gjithashtu e angazhuar në organizimin e aktiviteteve kurrikulare dhe jashtëkurrikulare, duke kontribuar në zhvillimin kulturor dhe social të nxënësve, si dhe në forcimin e jetës shkollore.
Bashkëpunimi i saj i vazhdueshëm me kolegët, prindërit dhe institucionet përkatëse është një tjetër dëshmi e përkushtimit të saj ndaj arsimit dhe komunitetit. Për kolegët dhe nxënësit, ajo është shembull i korrektësisë, përgjegjësisë dhe humanizmit.

Megjithëse gjatë karrierës është vlerësuar me shumë mirënjohje, për mësimdhënësen Qosa shpërblimi më i madh mbetet gjithmonë respekti dhe mirënjohja e nxënësve, të cilët sot gjenden në profesione të ndryshme dhe mbajnë gjallë kujtimin e mësueses që u hapi rrugën drejt dijes
