Pas 8 vitesh, Tayna merr vendimin për karrierën

September 7, 2026


Pas tetë vitesh me performanca të vazhdueshme në diskoteka dhe mbrëmje muzikore, Tayna ka vendosur të marrë një pauzë nga ky ritëm intensiv.

Reperja ka përfunduar turneun veror “Genesis Summer Tour” dhe ka ndarë me ndjekësit një mesazh ku reflekton mbi vitet e fundit të karrierës dhe verën që sapo ka lënë pas.

“8 vite aktive, 8 vite duke u parë me ju në diskoteka… mendoj që e meritoj një pushim prej tyre. Kjo verë ka qenë e lodhshme, kaotike, por shumë e bukur. Kam takuar kaq shumë prej jush, kam kënduar me ju, kam qeshur, kam bërë foto dhe kam marrë dashuri në çdo vend ku kam shkuar”, shkruan Tayna.

Një pjesë e rëndësishme e këtij sezoni ka qenë edhe albumi “Genesis”, të cilin ajo e publikoi në maj me 13 këngë. Reperja tregoi se një prej momenteve që e ka emocionuar më shumë gjatë turneut ishte të dëgjonte publikun duke kënduar këngët e reja.

“Ta nxjerrësh një album prej shpirtit tim dhe pastaj të vish në klub e t’ju dëgjoj juve duke i ditur fjalët më mirë se unë ndonjëherë… është një ndjenjë që nuk di si ta shpjegoj”, u shpreh ajo, duke falënderuar publikun për mbështetjen.

Megjithatë, mesazhi i Taynës nuk nënkupton një largim nga muzika. Nga ajo që ka shkruar, bëhet fjalë për një pauzë nga performancat e shpeshta në diskoteka, ndërsa artistja lë të hapur mundësinë për projekte të reja.

“Tani po ju lë pak rehat prej meje… edhe diskotekat pak rehat prej meje. Shihemi në kapitullin tjetër”, përfundoi Tayna, pa zbuluar se çfarë ka planifikuar pas kësaj pauze.



Source link