Gjendet i vdekur në banesë aktori i njohur turk, Serhat Kiliç

September 7, 2026


Bota e artit në Turqi është tronditur nga vdekja e papritur e aktorit të njohur Serhat Mustafa Kılıç, i cili u nda nga jeta në moshën 51-vjeçare.

Aktori, i njohur nga serialet “Seksenler”, “Söz” dhe “Kuruluş Osman”, u gjet pa shenja jete në banesën e tij të shtunën e kaluar, raporton CNN Turk.

Për rreth dy ditë familjarët nuk kishin arritur të kontaktonin me të. E dashura e tij, Özlem E., e shqetësuar nga mungesa e kontaktit, shkoi në banesën e aktorit dhe e gjeti të shtrirë në divanin e dhomës së ndenjjes.

Ajo njoftoi menjëherë Policinë dhe ekipet mjekësore, të cilat pas mbërritjes në vendin e ngjarjes konstatuan vdekjen e tij.

Gjatë ekzaminimeve paraprake u konstatuan mavijosje rreth syve, në krahë dhe në këmbë. Megjithatë, në trup nuk u gjetën plagë të hapura apo shenja të dukshme të dhunës.

Autoritetet kanë nisur hetimet për përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes. Pas përfundimit të autopsisë, trupi i aktorit iu dorëzua familjarëve dhe u dërgua në morgun e varrezave Zincirlikuyu.

Menaxheri i tij, Tolga Çinkitaş, njoftoi se ceremonia përkujtimore do të mbahet sot, më 7 shtator, në orën 12:00, në skenën Muhsin Ertuğrul.



Source link