“Do të doja që djali im…”

September 2, 2026


Këngëtarja e njohur shqiptare, Gresa Behluli, ka folur për projektet e saj të reja muzikore, raportin me familjen, mëmësinë dhe planet për të ardhmen.

Në një intervistë për Indeksonline, Behluli ka zbuluar se është duke përgatitur këngë të reja, ndërsa ka treguar edhe për bashkëpunimin me nënën dhe motrën e saj.

“Po, jam në përgatitje të këngëve të reja, të cilat do të lansohen shumë shpejt. Me nënën dhe motrën e realizuam muajin e kaluar këngën ‘Hajde verë’, një duet që u prit me komente shumë të mira nga publiku. Tani do të vazhdojmë me projekte të tjera së bashku”, është shprehur ajo.

E pyetur nëse ka menduar ndonjëherë ta lërë muzikën për t’iu përkushtuar familjes, Gresa thotë se familja është prioriteti i saj, por muzika mbetet pjesë e pandashme e identitetit të saj.

“Familja është prioriteti im, por muzika është pjesë e imja dhe e identitetit tim. Mendoj se nuk duhet patjetër të zgjedhësh mes familjes dhe pasionit. Tash e sa vite jam pjesë e muzikës dhe, me kalimin e viteve, kam mësuar ta organizoj kohën në mënyrë që t’u jap kohë, dashuri dhe përkushtim të dyjave”, ka thënë Behluli
Gresa ka folur edhe për dëshirën që familja e saj të zgjerohet. Ajo ka treguar se do të dëshironte që djali i saj të kishte një vëlla ose motër.

“Po, patjetër. Është dëshirë e imja shumë e madhe që djali im të ketë një vëlla ose motër. Mendoj se për një fëmijë është dhuratë e madhe të rritet duke pasur një motër ose vëlla pranë. Unë jam e bekuar që jam rritur me një familje të madhe dhe do të doja që t’ia ofroja edhe djalit tim”, është shprehur ajo.

Duke folur për mëmësinë, këngëtarja thotë se ardhja e djalit në jetën e saj e ka ndryshuar në shumë aspekte.

“Mëmësia më ka ndryshuar shumë. Më ka bërë më të durueshme, më të fortë, por edhe shumë më të ndjeshme dhe, mbi të gjitha, më ka mësuar ta shoh jetën nga një këndvështrim tjetër. Sot, shumë gjëra që dikur më dukeshin të rëndësishme, nuk kanë më të njëjtën peshë”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq, Behluli ka treguar se do ta mbështeste djalin e saj nëse një ditë ai do të vendoste ta ndiqte muzikën si profesion.

“Patjetër. Do ta mbështesja në çdo rrugë që zgjedh, për sa kohë që është diçka që e bën të lumtur. Nëse një ditë zgjedh muzikën, do të jem aty për ta këshilluar dhe për t’i treguar edhe anën e bukur, por edhe vështirësitë e këtij profesioni. Si nënë, dua që ai, mbi të gjitha, të ketë guximin të ndjekë ëndrrat e veta”, ka përfunduar Gresa Behluli.




Source link