Nga audicionet te premierat live: Si do të jetë Portokallia nën drejtimin e Agron Llakajt? – Lajme Big Brother Vip
Pas një mungese të gjatë prej 16 vitesh, Agron Llakaj po bëhet gati për t’u rikthyer në skenën e “Portokalli”.
Artistin e njohur tashmë e pret detyra e drejtuesit të këtij formati, ku përveç prezantimit, do të angazhohet aktivisht edhe si aktor në sallën e Top Channel.
“Me mbështetjen e Lorit dhe Top Channel, mendoj se kemi të gjitha mundësitë që Portokalli të rimarrë ngjyrimin e atij që e themeloi, që i vuri këtë emër kaq të bukur. Unë isha i pari që erdha dhe ky rikthimi im, është si rikthimi i Odisesë… por unë nuk jam Odise Llakaj, jam Agron Llakaj. Mendoj se e qeshura ofron dashuri dhe ky është një mision shumë i madh për vetë kohën, ku mendoj se ka shumë urrejtje”, u shpreh Agron Llakaj.
Duke sjellë gjithë bagazhin e tij profesional ndër vite, Llakaj premton një qasje të re dhe elemente surprizuese që synojnë të tërheqin vëmendjen e audiencës, teksa spektakli do të vijë me shfaqje të drejtpërdrejta çdo të premte. “Portokallia është tani shtëpia e vetme e humorit në Shqipëri dhe përveç kontributeve dhe energjisë që kanë përcjellë aktorët, ardhja ime nuk është nisje nga zero, por bashkim i energjive që këtë shkëlqim që të ofron Top Channel, vij me energjinë dhe eksperiencën që ky shkëlqim të rritet më shumë.
T’i kthehemi publikut që duhet të na vijë javë për javë, duke bërë bashkë të gjitha brezat që dëshirojnë një humor cilësor”, tha humoristi. Përmes një formati që ndërthur skeçet, parodinë dhe personazhet e shumtë, ky spektakël do të reflektojë mbi ngjarjet e ndryshme sociale dhe politike, duke nxitur te shikuesit si humorin ashtu edhe mendimin kritik.
“Humori është vëzhgues i realitetit. Nuk ka pak probleme Shqipëria, ‘përbërësit’ janë që ne të bëjmë gjellë cilësore.
Sa i takon politikës, botërore, që në momentin që kam ardhur, ky sinjal i ka shkuar Trump. E ka pritur mirë, mendoj se do kemi bashkëpunim të mirë më Amerikën. Ai ka dashur që ta quajmë “Orange”, por unë këmbëngula që ta quajmë ‘Portokalli’”, u shpreh Llakaj.
Ky edicion i ri hap dyert edhe për talente të reja, të cilët mund të aplikojnë për të marrë pjesë në audicionet që do të zhvillohen nga data 2 deri më 16 shtator, në fusha të ndryshme si aktrimi, imitimi apo shkrimi i skenareve.
“Do të vijnë dhe do të kenë një dritare tyren, që do ta quajmë ‘dritarja e talentit të ri’ dhe nëse deri në dhjetor do të kenë talentin dhe fuqinë për t’u bërë pjesë e “Portokalli” janë të mirëseardhur”, përfundoi Agron Llakaj.
Publiku që dëshiron të ndjekë shfaqjen live mund ta bëjë këtë duke nisur nga data 2 tetor, ndërsa transmetimi për teleshikuesit e “Portokalli” do të nisë më 4 tetor.