Abu Dhabi nuk është më një vend i sigurtë, anulohen koncertet e Shakirës dhe Christina Aguilerës

August 21, 2026


Përshkallëzimi i situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme po prek edhe industrinë e argëtimit, duke detyruar anulimin e dy eventeve të rëndësishme muzikore në Abu Dhabi.

Shakira dhe Christina Aguilera, dy prej emrave më të njohur të muzikës ndërkombëtare, nuk do të performojnë më në Emiratet e Bashkuara Arabe, pasi koncertet e tyre janë anuluar për shkak të situatës së sigurisë.

Shakira ishte planifikuar të ngjitej në skenën e festivalit Offlimits më 21 nëntor, por organizatorët njoftuan anulimin e eventit. Spektatorët që kishin blerë bileta do të rimbursohen, ndërsa për rikthimin e festivalit është përmendur viti 2027.

Edhe koncerti i Christina Aguilerës, i planifikuar për 25 shtator, është anuluar. Platforma Ticketmaster konfirmoi anulimin, por deri tani nuk është bërë e ditur një datë e re.

Të dyja eventet ishin shtyrë më herët për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë dhe pasojave që konflikti pati në transportin ajror.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë përfshirë në tensionet e rajonit pas përshkallëzimit të konfliktit me Iranin. Autoritetet kanë raportuar lëshimin e mijëra raketave dhe dronëve drejt territorit të vendit, ndërsa pjesa më e madhe e tyre është interceptuar.

Pavarësisht uljes së intensitetit të sulmeve gjatë muajve të fundit, pasiguria vazhdon të ndikojë në organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare.

Për fansat e Shakirës dhe Christina Aguilerës, anulimet nënkuptojnë një tjetër pritje, ndërsa për koncertin e Aguilerës ende nuk është njoftuar një datë e re.




Source link