Ronaldo dhe Georgina drejt altarit? Unazat me diamant ndezin zërat për martesën e shumëpritur
2
Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez janë sërish në qendër të vëmendjes, pasi disa detaje nga pushimet e tyre në Mallorca kanë shtuar zërat për një martesë të mundshme. Çifti u fotografua duke mbajtur unaza identike me diamant, një detaj që ka rikthyer spekulimet për një ceremoni të afërt.
Sipas mediave portugeze dhe atyre lokale, ylli portugez dhe partnerja e tij prej disa vitesh mund të kurorëzojnë lidhjen e tyre gjatë kësaj fundjave, por deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga Ronaldo apo Georgina.
42-vjeçari dhe Georgina Rodriguez, 32 vjeçe, u panë duke kaluar pushimet në një jaht luksoz në Mallorca së bashku me familjen e tyre. Unazat e njëjta në gishtat e çiftit janë bërë menjëherë objekt diskutimi, duke ushqyer edhe më shumë mundësinë e një martese të afërt.
Raportimet në Portugali përmendin edhe mundësinë që ceremonia të zhvillohet në Quinta da Regaleira, një kompleks historik në Sintra. Megjithatë, ky informacion mbetet i pakonfirmuar.
Cristiano Ronaldo ka folur më herët për dëshirën për t’u martuar me Georginën. Në intervista të ndryshme, ai ka treguar se e sheh atë si personin me të cilin dëshiron të kalojë jetën dhe se martesa është një hap që e ka menduar prej kohësh.
Historia e tyre nisi në vitin 2016, kur Ronaldo dhe Georgina u njohën në Madrid, ndërsa ajo punonte në një butik të markës Gucci.
Çifti ka ndërtuar një familje me gjashtë fëmijë, tre prej të cilëve janë fëmijët e tyre së bashku.
Propozimi i martesës u bë publik vitin e kaluar, kur Georgina ndau në rrjetet sociale unazën e fejesës me mesazhin e shkurtër: “E pranoj”. Tashmë, unazat e reja dhe paraqitja e tyre së bashku kanë rikthyer pyetjen: a është kjo fundjava e shumëpritur e martesës së Ronaldos dhe Georginës?

