“Kujdes, 5 ditë të vështira po afrohen!”, astrologia Chrysanthi Kalogeri: Marrëdhëniet vihen në mikroskop! – Lajme Big Brother Vip

September 29, 2026 •


Tetori do të jetë shumë i vështirë në pesë ditët e para të tij, paralajmëroi këtë të hënë, më 28 shtator, astrologia Chrysanthi Kalogeri për parashikimin e shenjave në emisionin “Shije Shtëpie”, në Tv Klan.

“Nuk duhet të nxitojmë, të jemi impulsivë, fanatikë dhe duhet të ruajmë qetësinë, të evitojmë stresin, të komunikojmë më kujdes, duke qenë se edhe Afërdita kthehet në retrogradë më datë 4 tetor. Brenda muajit tetor do të kemi edhe retrogradën e Mërkurit. Çështjet që janë hapur në shtator dhe ato që do të hapen me Hënën e re më datë 10 tetor, e cila do të vendosë marrëdhëniet tona në mikroskop, mbyllen dhe marrin drejtim pas datës 7 prill 2027.”

Ajo theksoi se muaji tetor na sjell përpara të kaluarën, jetën tonë emocionale, marrëdhëniet, por edhe sferën financiare.

“Edhe pse disa gjëra mund të hasin në pengesa apo vonesa, realizimi i disa marrëdhënieve apo bashkëpunimeve të mira dhe afatgjata pritet të lulëzojë më vonë, por do t’i ketë fillesat gjatë muajit tetor.”

Dashi: Muaji e vendos theksin te marrëdhëniet dhe bashkëpunimet e çdo lloji. Jeni pikërisht ju që do t’u vini fre pretendimeve të të tjerëve në lidhje me ju. Mund të bëni fillime të reja në jetën tuaj emocionale, por edhe në një bashkëpunim profesional. Rezultatet e të gjitha përpjekjeve, të disa vonesave, pengesave gjatë kësaj periudhe, por edhe në dimër, do t’i shikoni më mirë në prill. Shumë të kujdesshëm me financat.

Demi: Duhet të keni kujdes gjatë 5 ditëve të para të muajit, pasi do të keni zhvillime në akset kryesore të jetës suaj, edhe pse disa nga këto zhvillime vijnë nga faktorë të jashtëm dhe nuk varen nga ju, në lidhje me punën tuaj, bashkëpunëtorët tuaj apo marrëdhëniet tuaja personale. Nëse një marrëdhënie e juaja është tronditur, është momenti që ta rregulloni dhe ta sillni në normalitet. Organizoni përditshmërinë dhe kujdesuni për shëndetin.

Binjakët: Theksi për ju vendoset në përditshmërinë tuaj, ku do të përjetoni ankth dhe stres. Duhet të rishikoni disa plane apo çështje të së kaluarës. Tetori është një muaj shumë i mirë për jetën tuaj emocionale dhe zhvillimin tuaj personal. Kini kujdes 5 ditët e para të muajit në përditshmëri, në lëvizjet me makinë, në komunikim. Mos merrni tani vendime përfundimtare në lidhje me planet e së ardhmes, sepse nuk kanë një formë të caktuar. Disa çështje ligjore kërkojnë zgjidhjen tuaj.

Gaforrja: Çështjet financiare dhe qetësia e brendshme e juaj janë në fokus. Për sa i përket financave, bazohuni në forcat tuaja. Mund të dalin në pah çështje që kanë të bëjnë me jetën tuaj emocionale. Do të bëni një fillim të ri në shtëpinë tuaj, por bëjeni në mënyrë sa më të organizuar. Ruani luhatjet psikologjike, në mënyrë që të tregoni veten tuaj në punë dhe në jetën sociale gjatë muajit tetor.

Luani: Do të jetë një situatë pak e ngarkuar në 5 ditët e para të muajit për të lindurit në 5 ditët e para të shenjës. Do t’ju shqetësojnë të tjerët, marrëdhëniet e çdo lloji, por edhe çështje që kanë të bëjnë me familjen. Duhet t’i trajtoni çështjet me qetësi, duke lënë mënjanë nxitimin, impulsivitetin, insistimin dhe kokëfortësinë. Duhet të bëni durim për çdo pretendim që do të kenë të tjerët dhe shikojini më pas planet tuaja. E ardhmja mund t’ju stresojë, por mos u nxitoni.

Virgjëresha: Do të keni shanse të takoni miq të rinj apo të së kaluarës, të riorganizoni përditshmërinë, e cila ka hyrë në një fazë ndryshimi. Veprimtaria juaj duhet t’i shërbejë edhe anës suaj shëndetësore. Kujdes si do ta përdorni fjalën dhe do të jetë mirë të kujtoni klientët apo miqtë e së kaluarës dhe të përfitoni nga idetë apo shanset e reja që mund t’ju ofrohen. Kujdes 5 ditët e para të muajit në punën tuaj apo në gjendjet emocionale që mund t’ju përfshijnë.

Peshorja: Fokusi tek ju vendoset në marrëdhëniet dhe në bashkëpunimet tuaja, por ju do të bëni një fillim të ri këtë herë, sepse do të pastrohet një situatë, qoftë për sa i përket jetës personale, apo qoftë edhe asaj profesionale. Do të keni mbështetjen e rrethit tuaj, por në rast se do të hasni pengesa, do të duhet t’i zgjidhni nga prilli e tutje. Fokusohuni në sferën financiare, mund të keni vonesa, por do të mbërrijnë tek ju. Mos merrni vendime të rëndësishme në lidhje me financat gjatë 5 ditëve të para të muajit.

Akrepi: Jeni në fazën që do të bëni ndryshime në akset kryesore të jetës suaj, të cilat i kanë fillimet që nga viti i shkuar. Do të vijnë disa ngjarje nga jeta juaj që do të jenë përfundimtare dhe mirë është që ju të mos bëheni absolutë, por t’i shihni gjërat me një strategji. Do të jepni një betejë për të arritur suksesin në sferën profesionale, por kjo betejë në javën e parë të tetorit ju streson. Organizoni përditshmërinë, jini të tërhequr dhe kujdesuni për shëndetin.

Shigjetari: Jeta sociale dhe puna kolektive do të jenë në fokus të vëmendjes tuaj gjatë muajit tetor. Do të bëni fillime të reja, të cilat në fazën e parë do të pengohen dhe do të vonohen. Do të keni zhvillime të reja në çështjet emocionale dhe ato të cilat kanë të bëjnë me fëmijët. Kujdes gjatë udhëtimeve dhe në zgjidhjen e çështjeve ligjore në javën e parë të muajit tetor. Do të keni gjatë gjithë tetorit biseda dhe marrëveshje të fshehta. Ruani gjakftohtësinë!

Bricjapi: Një periudhë e rëndësishme për karrierën dhe jetën tuaj sociale, ku ndryshimet që do të bëni do të ndikojnë në sferën financiare. Këtu duhet të bëni kujdes në 5 ditët e para të muajit, mos merrni iniciativa që nuk mund t’i përballoni. Nuk do të arrini të merrni dot një mbështetje financiare apo të tjerët nuk do të jenë në gjendje t’jua japin. Mund të bëni biseda, takime, duke rishikuar planet që të mund t’i realizoni ambiciet tuaja.

Ujori: Shumë të ndikuar në fillim të muajit dhe sidomos në 5 ditët e para, pasi do të keni ndryshime që do të fillojnë nga ju ose nga provokimet e të tjerëve, apo ngjarje nga faktorë të jashtëm që do të ndryshojnë rrënjësisht ju dhe rrjedhën e jetës suaj. Do të keni zhvillime në karrierën apo punën tuaj. Një vorbull bisedash nuk do të marrë zgjidhje brenda tetorit, por nga nëntori e tutje. Do të keni edhe zhvillime pozitive, pasi Hëna e re që do të zhvillohet në shenjën e Peshores do të vendosë baza të reja në jetën tuaj.

Peshqit: Planetët që do të jenë në prapavijë do t’ju sjellin më afër të kaluarën dhe risinë, një person që ishte në një marrëdhënie personale apo në një bashkëpunim profesional dhe ndoshta është momenti të rishikoni disa gjëra. Do t’ju jepja një këshillë: Për gjërat që u është vënë kapaku, mirë është të mos e ktheni kokën, pasi çdo ringjallje apo ribashkim nuk do të ketë lulëzimin që ju dëshironi. Do të keni shanse të udhëtoni dhe të takoni miq nga e kaluara. Fokusohuni te financat!

/tvklan.al



Source link