E vërteta e takimeve të hershme të LPK-së me Rugovën

July 27, 2026


Ish-përfaqësuesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Azem Syla dhe Ramadan Avdiu, kanë reaguar ndaj deklaratave të ish-nënkryetarit të LDK-së, Anton Kola, të bëra në emisionin “Fakte” me Adnan Merovcin, të transmetuar më 23 prill 2026.

Në reagimin e tyre, Syla dhe Avdiu thonë se ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Kola, në një rast (nga minuta e 31), në mungesë të informacioneve, të njohurive apo me qëllim të caktuar në vend të nxjerrjes së fakteve i ngatërron ato duke devijuar tërësisht qëllimin e takimeve në mes të përfaqësuesve të Lëvizjes Popullore të Kosovës me Rugovën dhe bisedat e pasuara më vonë në takime në mes të Azem Sylës dhe Anton Kolës.

Sipas tyre, takimet e mbajtura nga prilli deri në tetor të vitit 1991 nuk ishin takime të disa ish-të burgosurve politikë me Rugovën, por takime të rregullta ndërmjet LPK-së dhe LDK-së, me synim bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë kundër okupatorit serb.

“Takimet e zhvilluara nga muaji prill deri në tetor të vitit 1991, në mes të përfaqësuesve të Lëvizjes Popullore të Kosovës Xhavit Haziri, Azem Syla dhe Ramadan Avdiu, nuk kanë qenë siç deklaron z. Kola; një takim i disa të burgosurve politik me z. Rugova në banesën e tij në Lakrishtë, por takime të rregullta në mes të LPK-së dhe LDK-së, me qëllim të bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve për krijimin e kapaciteteve për veprim kundër okupatorit serb, sidomos në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”, thuhet në këtë reagim.

Reagimi i plotë:

Në një bisedë në kuadër te emisionit “Fakte” me Adnan Merovcin, të emituar më 23 prill 2026, ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës z. Anton Kola, në një rast (nga minuta e 31), në mungesë të informacioneve, të njohurive apo me qëllim të caktuar në vend të nxjerrjes së fakteve i ngatërron ato duke devijuar tërësisht qëllimin e takimeve në mes të përfaqësuesve të Lëvizjes Popullore të Kosovës me z. Rugova dhe bisedat e pasuara më vonë në takime në mes të z. Azem Syla dhe të z. Anton Kola.
Lidhur me deklarimin e z. Anton Kola për takimet që kemi zhvilluar ne, përfaqësuesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës, me kryetarin e LDK-së dhe të Kosovës z. Ibrahim Rugova, për hir të së vërtetës historike deklarojmë me sa vijon.

1. Takimet e zhvilluara nga muaji prill deri në tetor të vitit 1991, në mes të përfaqësuesve të Lëvizjes Popullore të Kosovës Xhavit Haziri, Azem Syla dhe Ramadan Avdiu, nuk kanë qenë siç deklaron z. Kola; një takim i disa të burgosurve politik me z. Rugova në banesën e tij në Lakrishtë, por takime të rregullta në mes të LPK-së dhe LDK-së, me qëllim të bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve për krijimin e kapaciteteve për veprim kundër okupatorit serb, sidomos në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

2. Në një takim në muajin shtator të vitit 1991, z. Rugova ka theksuar se do të tentojmë të formojmë Qeverinë e Kosovës dhe është interesuar të dijë nëse LPK-ja si organizatë politiko-ushtarake që vepronte në fshehtësi të thellë është e interesuar të përfshihet në Qeveri. Ne kemi shfaqur interesim të përfshihemi në Ministrinë e Mbrojtjes.

3. Në takimin e radhës pas një jave, z. Rugova pasi ishte konsultuar me bashkëpunëtorët e tij theksoi se për shkak të formës së veprimit që e ka LPK-ja, do të ishte më mirë të mos përfshihet drejtpërdrejtë në Qeveri, por të ketë komunikim me Qeverinë përmes një ndërmjetësuesi dhe na ka propozuar tre emra me të cilët do të mund të komunikojmë. Z. Anton Kola, Dr. Shaqir Shaqiri ose me z. Neriman Braha.

4. Meqë Azem Syla është njohur personalisht me z. Anton Kola, janë takuar dhe kanë biseduar lidhur me gatishmërinë e LPK-së për të dhënë kontributin saj në ngritjen e kapaciteve mbrojtëse. Nuk është e vërtetë se z. Azem Syla në këto takime t’i ketë thënë z. Anton Kola siç pohon ai në emsionin “Fakte”, se ne (LPK-ja) nuk mund të bashkëpunojmë me z. Ibrahim Rugova. Kjo është plotësisht e pavërtetë dhe gënjeshtër e kulluar.

Sikur të ishte ashtu ne fare nuk do të ishim takuar disa herë me z. Rugova nga muaji prill deri në tetor, dhe ndonëse kemi pasur dallime konceptuale kemi shpresuar se do të mund të jemi komplementar në veprimtari antipushtuese.

5. E vërteta e ndërprerjes së komunikimit në mes të përfaqësuesve të LPK-së dhe LDK-së, në prag të themelimit të Qeverisë së Kosovës të kryesuar nga Bujar Bukoshi, ka qenë; sepse z. Anton Kola ka insistuar të di çdo detal për LPK-në e cila vepronte në fshehtësi të thellë; Strukturën organizative, kuadrin udhëheqës, shtrirjen e saj, pajisjet që posedon dhe financat. Kjo ishte e papranueshme për atë kohë, sepse natyra e organizimit të LPK-së ishte e tillë sa ato informacione sidomos strukturën organizative dhe pajisjet që posedonte, nuk i dinin as të gjithë anëtarët e Kryesisë së LPK-së e lëre më dikush jashtë organizimit të saj.
Anomalia e pohimeve të z. Kola në këtë emision konsiston në deklarimin e tij, se përderisa rreth shtabeve komunale të LDK-së siç thekson ai, nuk është interesuar të njohë dhe të dijë asgjë jashtë rrethit të Klinës, për LPK-në ka kërkuar dhe insistuar të dijë gjithçka… Madje pranimi i z. Gani Veseli për të qenë në krye të shtabit komunal në Klinë është bërë pas konsultimeve që i ka pasur z. Veseli me Azem Sylën dhe në vazhdimësi është konsultuar dhe ka marrë direktiva nga Azem Syla.
Pasi është themeluar Qeveria ne i kemi rralluar takimet me z. Rugova, kurse pas dështimit të Qeverisë së Bukoshit dhe LDK-së, për krijimin e strukturave mbrojtëse në Kosovë, LPK-ja, ka shtuar angazhimin për përgatitjen e njësiteve ushtarake për të shkuar drejt themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tendencat për të krijuar narracion historik jo të bazuar në argumente dhe për t’i prezantuar si fakte janë anakronike dhe antihistorike, sikurse edhe përpjekjet e shndërrimit të dëshirave në argumente historike, me qëllim të ngatërrimit të fakteve, fenomeneve dhe të protagonistëve që e bënë dallimin në historinë e çlirimit të Kosovës!

Azem Syla
___________________

Ramadan Avdiu




Source link