Sunny Hill publikon orarin e plotë, Katy Perry, Lewis Capaldi dhe Martin Garrix kryesojnë tri netët e festivalit – Ora Info

July 26, 2026


Organizatorët e Sunny Hill Festival kanë publikuar programin ditor të edicionit të sivjetmë, i cili do të mbahet nga 31 korriku deri më 2 gusht, duke zbuluar edhe oraret e performancave të artistëve kryesorë.

Sipas programit zyrtar, nata e parë e festivalit, më 31 korrik, do të kulmojë me performancën e superyllit të muzikës pop Katy Perry, e cila do të ngjitet në skenë rreth orës 22:30. Gjatë kësaj mbrëmjeje do të performojnë edhe emra të njohur si Dhurata Dora, La Fazani dhe artistë të tjerë.

Më 1 gusht, skena kryesore do t’i takojë këngëtarit skocez Lewis Capaldi, i cili pritet të performojë nga ora 22:30. Programi i natës së dytë përfshin gjithashtu performanca nga Asgjë Sikur Dielli, Lumi B, Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, Buta dhe artistë të tjerë.

Edicioni i sivjetmë do të mbyllet më 2 gusht, me performancën e DJ-it të njohur botëror Martin Garrix, i cili rikthehet për herë të dytë në skenën e Sunny Hill dhe do të performojë në orën 22:30.

Pjesë e natës përmbyllëse do të jenë edhe emra të njohur të muzikës elektronike si Adam Port dhe Rampa, të cilët pritet të sjellin një atmosferë festive për mijëra pjesëmarrës.

Publikimi i programit ditor u mundëson vizitorëve të planifikojnë pjesëmarrjen në një nga festivalet më të mëdha muzikore në rajon, i cili edhe këtë vit sjell në Prishtinë emra të njohur të skenës ndërkombëtare dhe shqiptare./KultPlus.com





Source link