Tensione në kufirin e NATO-s, Rumania rrëzon tre dronë për tri ditë
1
Rumania ka rrëzuar tre dronë brenda vetëm tri ditësh, ndërsa autoritetet rumune kanë konfirmuar se njëri prej tyre ishte i tipit “Shahed”, i përdorur nga Rusia në luftën kundër Ukrainës.
Presidenti i Rumanisë, Nicușor Dan, njoftoi se të dielën në mëngjes një avion luftarak F-16 i Forcave Ajrore rumune rrëzoi një dron mbi ujërat territoriale të Rumanisë, në zonën Sulina–Chilia në deltën e Danubit, pranë kufirit me Ukrainën.
“Përgëzoj pilotët dhe ekipet tokësore për profesionalizmin, guximin dhe efikasitetin me të cilin kryejnë misionet e tyre”, shkroi Dan në rrjetin social X.
Një ditë më parë, të shtunën, një tjetër dron u rrëzua rreth 10 kilometra në perëndim të fshatit Sfântu Gheorghe, pasi dy avionë F-16 u ngritën për ta identifikuar dhe interceptuar objektivin. Ministria rumune e Mbrojtjes bëri të ditur se droni u rrëzua në mënyrë të sigurt në një zonë të pabanuar pranë kufirit.
Ndërkaq, edhe të premten, një F-16 rumun kishte rrëzuar një tjetër dron.
Prokuroria e Përgjithshme e Rumanisë ka konfirmuar se droni i rrëzuar të premten ishte i tipit “Shahed”, i përdorur nga forcat ruse në agresionin ndaj Ukrainës. Hetimet për dronët e rrëzuar të shtunën dhe të dielën janë ende në zhvillim, raporon IndeksOnline.
Presidenti Dan e cilësoi të papranueshme shkeljen e vazhdueshme të hapësirës ajrore rumune nga Rusia.
“Veprime të tilla janë të papranueshme dhe po i trajtojmë me seriozitetin maksimal, në bashkëpunim me aleatët tanë”, deklaroi ai.
Rumania, si vend anëtar i NATO-s dhe me dalje në Detin e Zi, është përballur muajt e fundit me një rritje të incidenteve që lidhen me dronët për shkak të luftës në Ukrainë.
Në muajin maj, një dron rus me eksploziv u rrëzua mbi një ndërtesë banimi në Galați, duke shkaktuar zjarr në çati dhe plagosur dy persona. Ndërsa në qershor, një dron detar ukrainas shpërtheu në portin e Konstancës, pasi, sipas ushtrisë ukrainase, kishte devijuar nga kursi për shkak të ndërhyrjeve elektronike ruse.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka cilësuar incidente të tilla si “pasojë e drejtpërdrejtë e luftës së Rusisë kundër Ukrainës”.