“Hëngra ketchup dhe djathë”, vajza në Venezuelë rrëfen si mbijetoi 32 orë nën rrënoja
1
Karina Blanco ishte gati të fillonte orën e fitnesit që ajo e jep, kur toka nisi të dridhej.
Lëkundjet u bënë gjithnjë e më të forta, duke e detyruar atë dhe të pranishmit të dilnin me nxitim jashtë.
“Kur e kuptova madhësinë e tërmetit, fillova të bërtisja ‘vajza ime, vajza ime’. U futa në veturë dhe vozita sa më shpejt që munda”, ka treguar Karina.
Vajza e saj e vetme, Fabiana 12-vjeçare, ndodhej në shtëpinë e tyre kur më 24 qershor Venezuela u godit nga dy tërmete të fuqishme brenda pak sekondave. Tërmeti i dytë ishte një nga më të fortët në një shekull në vend, me magnitudë 7.5.
Kur Karina mbërriti në ndërtesën e saj në Caraballeda, në veri të shtetit La Guaira, ajo nuk mund t’u besonte syve.
“Shihja një ndërtesë, pastaj një hapësirë bosh ku duhej të ishte ndërtesa ime, dhe pastaj një ndërtesë tjetër”, rrëfen ajo për BBC-në, përcjell Klankosova.tv.
Brenda banesës së tyre në katin e parë të një ndërtese 10-katëshe, Fabiana ishte në dhomën e gjumit kur ndjeu tërmetet. Ajo vrapoi në kuzhinë dhe po mbahej te banaku kur muret përreth saj u shembën, duke e rrëzuar në tokë.
“Po shihja gjëra që lëviznin, binin e thyheshin, pastaj muret u çarën. Muri që ndante apartamentin tim me atë të një shoqeje u shemb. Në atë moment mendova: ‘Do të vdes, nuk do të mbijetoj, askush nuk do të më shpëtojë’,” ka treguar Fabiana.
Që nga ai moment nisi një pritje e dhimbshme 32-orëshe.
Jashtë ndërtesës së shembur, Karina pa gjysmën e shtratit të vajzës së saj që dilte nga rrënojat. “Vrapoja nga njëra anë në tjetrën duke bërtitur ‘Ajo ka vdekur, vajza ime ka vdekur’. Nuk dija çfarë të bëja,” ka thënë ajo.
Nën rrënoja, gjithçka ishte qetësuar për Fabianën. Ajo ishte e shtrirë përmbys, e bllokuar nga mbeturinat përreth, me tavanin shumë pranë fytyrës.
“Jam person që bëhem shumë nervoze dhe klaustrofobike, por nuk e di pse, më pushtoi një qetësi e çuditshme. Ndoshta ishte shoku,” ka treguar ajo.
Pak më vonë, një infermiere që kujdesej për fqinjët e saj filloi të thërriste nëse dikush mund ta dëgjonte. Fabiana iu përgjigj.
“Ajo më tha të qëndroja e qetë dhe se gjithçka do të ishte mirë,” tha Fabiana.
Pas rreth gjashtë orësh, rreth mesnatës, infermierja u nxor e gjallë nga rrënojat dhe u tregoi vullnetarëve se një vajzë me emrin Fabiana ishte ende gjallë brenda.
“Unë kisha hequr dorë duke iu lutur Zotit për forcë që të filloja një jetë të re pa Fabianën. Dhe pastaj dikush më tha: ‘Vajza jote është gjallë’,” ka thënë Karina.
Ajo u kthye me vrap drejt ndërtesës duke thirrur me zë të lartë emrin e vajzës së saj mes rrënojave.
“Për disa arsye kisha shpresë dhe besim. Njëra këmbë më ishte bllokuar në një pozitë shumë të dhimbshme dhe lëviza disa nga rrënojat për ta drejtuar. Gjatë asaj kohe u lëndova, por gjeta një shishe ketchup dhe pak djathë të grirë. Kjo më mbajti në vetëdije,” ka treguar ajo.
Më vonë, grupe të reja zjarrfikësish mbërritën në vendngjarje dhe u përpoqën ta nxirrnin, por nuk arritën të depërtonin deri tek ajo. Ndërkohë, vullnetari Viktor vazhdonte të kthehej në pikën nga ku komunikonte me të për ta qetësuar.
Autoritetet kërkuan ndihmë nga një ekip shpëtimi nga Karakasi, por deri në mbërritjen e tyre ishte errësuar.
Në terr, familjarët dhe vullnetarët ndriçonin zonën me motoçikleta dhe vetura, ndërsa gradualisht shpëtimtarët arritën të hapin një vrimë që u lejoi ta shihnin Fabianën. Pamjet e saj duke buzëqeshur përmes rrënojave janë bërë virale në Venezuelë.
“Pas kaq shumë orësh të mbylljes, u mbusha me gëzim kur i pashë. E kuptova se do të shpëtohesha,” ka thënë ajo.
Rreth orës 02:00 të mëngjesit, 32 orë pas tërmeteve, ekipet e shpëtimit arritën të hapin një tunel dhe ta nxirrnin jashtë. Ajo doli nga rrënojat me ndihmën e shpëtimtarëve dhe ra në krahët e nënës së saj.
“Kur dola, pashë familjen time dhe ndërtesën plotësisht të shembur. M’u duk sikur nuk ishte reale, sikur ishte një serial televiziv,” ka thënë Fabiana.
Sipas nënës së saj, nga rreth 50 banorë të ndërtesës, vetëm tre kanë mbijetuar.
Deri më tani janë konfirmuar mijëra viktima nga tërmetet, ndërsa shumë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Fabiana, e cila ka pësuar vetëm frakturë në këmbën e majtë dhe disa gërvishtje, tani jeton me gjyshen e saj.
“Fillimisht kisha frikë të shtrihesha, sidomos në shpinë, sepse më kujtonte kohën nën rrënoja,” ka treguar ajo.
Në zonë, shumë ndërtesa të shembura dëshmojnë shkatërrimin e madh, ndërsa nëna e saj thotë se do të duhet kohë për t’u rikuperuar nga kjo tragjedi, por thekson: “Çfarë mund të kërkojë më shumë një nënë? Vajza ime është gjallë.”