Bie nga kati i tretë i një ndërtese, vdes një 46-vjeçare në Shtime
1
Policia e Kosovës ka konfirmuar se një grua 46-vjeçare ka humbur jetën të shtunën në Shtime, pasi dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga kati i tretë i një ndërtese.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se rasti është raportuar më 5 korrik 2026, rreth orës 18:50, në rrugën “12 Qershori” në Shtime.
“Me datën 05.07.2026, rreth orës 18:50, kemi pranuar një informatë se një femër ka rënë nga kati i tretë i një ndërtese në rrugën ’12 Qershori’ në Shtime”, ka deklaruar Veseli për Telegrafin.
Sipas tij, menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes ka dalë patrulla policore, e cila ka gjetur të lënduarën, një grua 46-vjeçare.
“Më pas ka arritur edhe ekipi i emergjencës së Shtimes, i cili e ka transportuar të lënduarën në QKMF-Shtime për trajtim mjekësor”, ka thënë ai.
Megjithatë, rreth orës 19:20, policia është njoftuar se e lënduara nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
“Rreth orës 19:20 është pranuar informata se e lënduara ka ndërruar jetë”, ka konfirmuar Veseli.
Ai ka bërë të ditur se për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit dhe krimteknikët rajonalë.
“Nga hetimet e para dyshohet se viktima kishte rënë aksidentalisht së bashku me shtyllat metalike (gilinderat)”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt.
Me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar.