Sulmoi dy fëmijët e tij dhe e kërcënoi vajzën me vrasje, arrestohet 60 vjeçari në Prishtinë – përfundon në ndalim

May 30, 2026


Një rast i rëndë i dhunës në familje po hetohet në Prishtinë, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj dy fëmijëve të tij dhe ka kërcënuar me vrasje vajzën.

Sipas burimeve të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, ku i dyshuari dyshohet se fillimisht ka sulmuar fizikisht vajzën dhe djalin e tij.

Përveç sulmit fizik, ai dyshohet se i është drejtuar vajzës me kërcënime serioze për jetën, duke bërë që rasti të trajtohet si dhunë në familje.

Pas incidentit, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa Policia kishte nisur menjëherë veprimet hetimore për lokalizimin e tij.

Një ditë më vonë, ai është shoqëruar në Stacionin Policor në Prishtinë, ku është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës. Sipas burimeve, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai nuk ka qenë në gjendje të japë deklaratë lidhur me dyshimet, përveç konfirmimit të identitetit.

Me vendim të Prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në ndalim, ndërsa për rastin janë njoftuar edhe Njësia për Mbrojtjen e Viktimave dhe Qendra për Punë Sociale.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë në vazhdim.




Source link