“Rinia duhet të ketë më shumë zë”

May 29, 2026


Reperi i njohur shqiptar Arkimed Lushaj, i njohur për publikun si Stresi, ka njoftuar zyrtarisht përfshirjen e tij në jetën politike të vendit.

Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, ai bëri të ditur se do të kandidojë për një vend në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Sipas artistit, ky angazhim vjen si rezultat i dëshirës për të përfaqësuar të rinjtë shqiptarë dhe për të sjellë shqetësimet e tyre më pranë institucioneve.

Ai theksoi se një pjesë e madhe e brezit të ri ndihet i papërfaqësuar, ndaj ka ardhur momenti që zëri i tyre të dëgjohet më fort në proceset vendimmarrëse të vendit.

“Sot kam vendosur të hedh një hap më shumë për vendin tim, për të rinjtë dhe për zërin e një brezi që shpesh është ndjerë i papërfaqësuar..Kandidimi im për Këshillin Kombëtar të PD-së nuk është thjesht politikë është përgjegjësi, përfaqësim dhe besim tek rinia shqiptare.

Kam ardhur nga rruga, nga jeta reale, nga sfidat që çdo i ri i njeh mirë. Prandaj dua që zëri ynë të dëgjohet aty ku merren vendimet. Nuk ka më kohë për heshtje, për largime apo për dorëzim. Ka ardhur koha që rinia të ngrihet, të flasë dhe të marrë vendin që meriton.

Ftoj çdo të ri që beson te ndryshimi, te energjia e re dhe te Shqipëria që mund të bëhet më mirë, të bashkohet me mua në këtë rrugëtim.Sepse e ardhmja nuk pret. Dhe ajo ndërtohet nga ne”, tha reperi.



Source link