Elisa Spiropali i përgjigjet Ramës: Më përjashto
1
Zyrtarja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka reaguar me një mesazh të gjatë dhe kritik ndaj mënyrës së funksionimit të debatit të brendshëm politik, duke ngritur shqetësime për trajtimin e mospajtimit brenda partive dhe institucioneve.
Në deklaratën e saj, Spiropali thekson se debatet e brendshme nuk duhet të shndërrohen në “spektakël ndëshkimor publik”, duke paralajmëruar se nëse kritika konsiderohet arsye për përjashtim, atëherë problemi nuk është te fjala, por te sistemi që nuk e duron mospajtimin.
“Nëse qëndrimi im për mënyrën si funksionon partia, qeveria apo shteti konsiderohet arsye për përjashtim, atëherë po e them qetë dhe qartë: më përjashto,” shkruan ajo, duke theksuar se kjo nuk është sfidë personale, por një qëndrim parimor.
Ajo shton se nuk ka sulmuar Partinë Socialiste, por ka ngritur shqetësime për modele që, sipas saj, mund të dëmtojnë vetë partinë, përfshirë ndarjen e partisë nga shteti, rritjen e kontrollit administrativ dhe dobësimin e garës dhe meritokracisë.
Spiropali thekson gjithashtu se kritika nuk duhet të shihet si devijim politik, por si pjesë e shëndetshme e funksionimit demokratik.
“Pushteti nuk dobësohet nga kritika, por kur humb aftësinë për vetëkorrigjim,” shkruan ajo, duke shtuar se mospajtimi brenda politikës është “forma më e lartë e besnikërisë”.
Deklarata e saj vjen në një moment debatesh të brendshme politike, ku raportet mes kritikës dhe disiplinës partiake janë bërë temë diskutimi në opinionin publik.
Postimi i plotë:
Më përjashto
Debatet e brendshme, sado të forta, nuk duhet të shndrrohen në spektakël ndëshkimor publik.
Nëse kjo ndodh, problemi nuk është më mospajtimi, është frika nga mospajtimi.
Ky fakt kokëfort, ky konstatim i dukshëm, më tepër se vetë paralajmërimi, më detyron të flas.
Kur paralajmërimi publik bëhet instrument kërcënimi, heshtja nuk është më maturi, është dorëzim.
Nëse qëndrimi im për mënyrën si po funksionon partia, qeveria, shteti, konsiderohet arsye për përjashtim, atëherë po e them qetë dhe qartë: Më përjashto.
Jo si sfidë personale. Jo si dramë politike. Jo si show mediatik. Por si provë se problemi nuk është te fjala që ngre shqetësim, por te sistemi që shqetësimin nuk e duron.
Nuk kam sulmuar Partisë Socialiste. Kam kritikuar modelin që në disa aspekte po dëmton edhe Partinë Socialiste.
Kam folur për ndarjen e partisë nga shteti. Për rrezikun që politika të zëvendësohet nga administrimi. Për një logjikë kontrolli. Ku struktura burokratike dhe pushteti administrativ rrezikojnë të marrin vendin e përfaqësimit politik.
Nëse këto konsiderohen arsye për përjashtim, atëherë pyetja nuk është pse flas unë. Pyetja është pse këto gjëra nuk lejohen të thuhen.
Pushteti nuk dobësohet nga kritika. Pushteti dobësohet kur humb aftësinë për vetëkorrigjim.
Nëse në një forcë politike që ka lindur si projekt emancipimi kombëtar, kritika trajtohet si devijim, atëherë problemi është më i thellë se çdo debat. Është krizë kulture politike.
Nëse të kërkosh që institucionet të mos kontrollohen, personalizohen, instrumentalizohen, është faj, atëherë më përjashto.
Nëse të kërkosh garë e meritë, brenda e jashtë partisë është faj, më përjashto.
Nëse të kërkosh që socialistët të mos zëvendësohen nga një model “drejtorokracie”, ku kontributi politik zbehet përballë kontrollit administrativ, qenka mungesë disipline, më përjashto.
Nëse të mendosh se pushteti duhet të njohë vetkufizim, dhe nuk duhet të njësohet me strukturat që e rrethojnë, qenka herezi e papranueshme, më përjashto.
Nuk po mbroj një pozicion. Aq më pak një kolltuk. Kryetarllëkun dhe ministërllëkun nuk ma ka lënë gjyshi apo gjyshja. Po mbroj një parim.
Në politikë mospajtimi nuk është thyerje e besnikërisë.
Mospajtimi është forma më e lartë e besnikërisë.