Pas vendimit për paraburgimin e tre të rinjve që akuzohen se e lanë 19-vjeçaren Myrto në një shesh në Argostoli të Kefalonisë, duke çuar në vdekjen e saj, autoritetet po vijojnë hetimet e thelluara për rastin.
Tashmë ka dëshmuar dy herë edhe një 66-vjeçar, i cili natën e ngjarjes fatale i kishte dërguar para 19-vjeçares. Në deklaratën e tij të parë publike, ai përshkroi se si e kishte njohur Myrton dhe çfarë ndodhi gjatë orëve të fundit para vdekjes së saj.
“Kam dhënë dëshmi që zgjati rreth katër orë dhe më kanë thirrur sërish. Herën e parë dhe më pas një dëshmi plotësuese, ku dorëzova edhe telefonin tim”, tha 66-vjeçari për televizionin MEGA.
Sipas tij, ai ishte ftuar në një bisedë të përbashkët ku ndodhej edhe e ndjera: “Atje për herë të parë më thirri një person dhe ishte një lloj ‘dëgjimi të përbashkët’, siç e quajnë. Ishte edhe e ndjera. Ma prezantuan si shoqe dhe përmendën emrin Myrto, por nuk e mbajta mend mirë. Nuk më interesoi veçanërisht.”
Ai shtoi se biseda ishte e shkurtër dhe formale: “Folëm pak, si je, çfarë bën, ku do kaloni Pashkët. Më tha se po mendonte të shkonte për punë, por nuk dinte ku. Ishte video-thirrje. Nuk folëm shumë.”
Më pas, sipas tij, ka pasur edhe mesazhe të shkëmbyera në ditët e Pashkëve: “Mesazhe të thjeshta, çfarë bën, si je, asgjë e veçantë.”
Sipas dëshmisë së 66-vjeçarit, natën e ngjarjes rreth orës 23:38, e reja e ka kontaktuar me video-thirrje.
“Më tha se ishte larguar nga shtëpia pas një sherri dhe se do flinte në stola. Nuk ishte në gjendje të mirë dhe thoshte se nuk kishte para dhe bateri”, tregoi ai.
Ai pretendon se i ka sugjeruar të kërkonte ndihmë tek miqtë apo familjarët, por ajo i është përgjigjur se nuk kishte njeri.
“Pastaj i thashë: më jep një IBAN që të të dërgoj para, që të gjesh një dhomë dhe të jesh e sigurt. I sugjerova edhe të shkonte diku për t’u qetësuar. Ajo më dërgoi një numër përmes aplikacionit”, ka dëshmuar 66-vjeçari.
Sipas tij, ai i ka ofruar edhe alternativa të tjera për strehim dhe ndihmë. Më tej, ai deklaron se ka marrë një mesazh zanor ku ajo e falënderonte, rreth orës 04:04 të mëngjesit.
Pak më herët, rreth orës 04:02, sipas tij, kanë pasur një video-thirrje tjetër: “Ishte në një dhomë hoteli, e shtrirë në shtrat, e veshur me një fustan të zi. Më tha se kishte gjetur një vend dhe ishte mirë. I thashë të pushonte dhe natën e mirë.”
Por më pas, sipas dëshmisë së tij, video-thirrja është ndërprerë papritur: “U dëgjua zhurmë, si një derë që hapet. Ajo tha diçka si ‘ah…’ dhe pastaj thirrja u mbyll menjëherë. Ishte hera e fundit që e pashë.”
Reagimi i avokatit të familjes
Avokati i familjes së Myrto-s, Panagis Drakoulogonas, reagoi ashpër gjatë një emisioni në MEGA, duke thënë se rasti është tronditës dhe i papranueshëm nga ana morale.
Ai deklaroi se një i mitur në vështirësi nuk duhet të trajtohet në këtë mënyrë dhe se në raste të tilla duhet të njoftohen menjëherë prindërit apo familjarët.
“Është e paimagjinueshme që të ndodhin këto gjëra. Kur një vajzë 19-vjeçare humb jetën në këtë mënyrë, është e pamundur të mos tronditesh,” u shpreh ai, duke shtuar se e vërteta do të zbardhet nga hetimet.
Avokati tha gjithashtu se hetimet mund të çojnë në zgjerim të çështjes dhe në akuza të tjera: “Ekzistojnë dyshime për veprime të paligjshme që prekin dinjitetin dhe integritetin seksual të të rinjve. Besoj se gjithçka do të hetohet nga autoritetet dhe e vërteta do të dalë në dritë.”
Ai shtoi se beson në drejtësinë dhe institucionet hetimore, duke theksuar se çdo përgjegjës, nëse provohet fajësia, duhet të përballet me ligjin dhe drejtësinë.
Dinamika e ngjarjes
Sipas informacioneve hetimore të publikuara, ngjarja ka ndodhur në një hotel në Kefaloni, ku 19-vjeçarja Myrto u gjet në gjendje të rëndë dhe më pas humbi jetën, dyshohet nga mbidoza e kokainës.
Në orët e para të mëngjesit, ajo ndodhej në dhomë me disa persona të tjerë, përfshirë një 26-vjeçar që pranon se kishte konsumuar drogë në vendngjarje dhe një 23-vjeçar. Rreth orës 04:00, gjendja e saj është përkeqësuar dhe sipas dëshmive, ka pasur një reagim të rëndë shëndetësor.
Një 22-vjeçar shqiptar, i cili ndodhej në një dhomë tjetër, thotë se është thirrur për ndihmë dhe ka shkuar në vendngjarje kur vajza ishte në gjendje të rëndë. Ai dhe të tjerët pretendojnë se janë përpjekur ta ndihmojnë dhe kanë pritur ambulancën, ndërsa nuk e kanë braktisur.
Hetimet tregojnë se në atë natë është konsumuar kokainë në dhomë dhe se gjendja e vajzës është përkeqësuar pas përdorimit të saj.