E vesha si nuse sot kam dasmën dhe varrimin e saj!
2
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e 19-vjeçares shqiptare Myrto në ishullin grek të Kefaloni, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Një nga të arrestuarit, një ish-peshëngritës 26-vjeçar, është paraqitur në gjykatë ku ka kërkuar falje. Sipas deklarimeve të tij, ai pretendon se ka qenë personi që e ka nxjerrë vajzën pa ndjenja nga apartamenti dhe, së bashku me një tjetër 23-vjeçar, kanë njoftuar shërbimet e urgjencës.
Ndërkohë, dëshmia e babait të 19-vjeçares ka tronditur opinionin publik. Në një prononcim për mediat, ai përshkroi dhimbjen e madhe që po përjeton, duke deklaruar:
“Është dita më e vështirë e jetës sime. Shpresoj që ajo që më ndodhi mua të mos i ndodhë askujt tjetër. E kam rritur fëmijën tim me parime, nuk mund ta besoj çfarë ka ndodhur.”
Ai tregoi gjithashtu për kujdesin që kishte ndaj vajzës së tij, duke theksuar se fliste me të çdo natë dhe e paralajmëronte për rreziqet:
“I thoja të kishte kujdes, sepse e keqja mund të vijë edhe me fytyrë të mirë.”
Babai i viktimës hedh dyshime të forta se vajza e tij mund të ketë rënë pre e një rrjeti të organizuar kriminal në ishull. Sipas tij, 19-vjeçarja mund të jetë përdorur si “karrem” për transaksione financiare, pa dijeninë e saj.
Ai përmendi edhe një 66-vjeçar, të cilin e konsideron si të dyshuar për rolin e drejtuesit të këtij rrjeti, ndërsa theksoi se pas ngjarjes mund të fshihet një strukturë e organizuar me role të ndara.
Në një moment prekës, babai bëri thirrje që të ruhet dinjiteti i vajzës së tij:
“Më kurseni, mos lejoni ta fyejnë fëmijën tim. Sot kam si dasmën, ashtu edhe funeralin e vajzës sime.”
Sipas pretendimeve të tij, vajzës mund t’i jetë hedhur një sasi e madhe alkooli apo substance në pije, çka mund t’i ketë shkaktuar konvulsione dhe më pas vdekjen.