Presidenti i Iranit përfshihet në përplasjen e Trumpit me Papën, dënon “fyerjen” e presidentit amerikan
1
Në zhvillimin më të fundit lidhur me kritikat e ashpra të Presidentit amerikan Donald Trump ndaj Papa Leo XIV dje, Presidenti i Iranit Masoud Pezeshkian e ka dënuar atë që e quajti “fyerje” ndaj pontifikut, raporton CNN.
“Dënoj fyerjen ndaj Shkëlqesisë Suaj në emër të kombit të madh të Iranit dhe deklaroj se përdhosja e Jezusit, profetit të paqes dhe vëllazërisë, nuk është e pranueshme për asnjë njeri të lirë”, tha Pezeshkian në një mesazh drejtuar papës në X. “Ju uroj lavdi me ndihmën e Allahut”.
Mehdi Tabatabaei, zëvendës për komunikim në zyrën e Pezeshkianit, dënoi gjithashtu komentet e Trump, duke krahasuar të ashtuquajturin “vrasje të karakterit” të papës me vrasjen e ish-Udhëheqësit Suprem të Iranit Ajatollah Ali Khamenei.
“Kur lideri i madh fetar i botës islame vritet me një guxim të tillë të hapur dhe perëndimorët e shikojnë në heshtje, nuk është aspak për t’u habitur që ata do t’i drejtoheshin vrasjes së karakterit të liderit të madh të të krishterëve të botës, Shenjtërisë së Tij Papa Leo”, tha Tabatabai.
Në komentet e bëra dje, Trump tha se “nuk është fans i Papa Leos”, duke dënuar qëndrimin e tij për luftën në Iran dhe duke thënë se pontifiku është “i tmerrshëm për politikën e jashtme”.
Papa Leo iu kundërpërgjigj kritikave sot, duke u thënë gazetarëve: “Nuk kam asnjë frikë nga administrata Trump apo nga të shprehurit me zë të lartë të mesazhit të Ungjillit, që besoj se është arsyeja pse jam këtu, arsyeja pse është këtu kisha”.