Nuk e kemi treguar forcën… – Lajme Big Brother Vip – Lajmi i Fundit, Lajmet e Fundit
Lori Hoxha ka njoftuar anulimin e festës së përvitshme të Top Channel, e cila ishte planifikuar të mbahej mbrëmjen e sotme, në kuadër të 25-vjetorit të televizionit.
Vendimi është bërë i ditur përmes një mesazhi drejtuar stafit, ku Hoxha shpjegon se atmosfera e krijuar nga zhvillimet e ditëve të fundit nuk është e përshtatshme për një festë.
“Sot kishim planifikuar të festonim ditëlindjen e Tanit, si çdo vit. Dhe kemi çfarë të festojmë, mbi të gjitha njerëzit që e kanë ndërtuar dhe vazhdojnë ta mbajnë gjallë këtë institucion çdo ditë”, shkruan ajo.
Megjithatë, Lori thekson se në rrethanat aktuale ka zgjedhur t’i japë përparësi përgjegjësisë dhe respektit ndaj situatës.
“Por ka një kohë për të festuar dhe një kohë për të treguar përgjegjësi. Duke parë atmosferën e këtyre ditëve dhe në respekt të asaj që po ndodh, kam vendosur ta anulojmë mbrëmjen e sotme”, vijon mesazhi.
Ajo e lidh këtë vendim edhe me mbështetjen për gazetarët dhe punonjësit e televizionit që vijojnë të raportojnë nga terreni në kushte të vështira.
“Kjo është edhe një shenjë mbështetjeje për të gjithë kolegët tanë që janë në terren, që raportojnë në kushte të vështira dhe që vazhdojnë të bëjnë punën e tyre me profesionalizëm, pavarësisht presionit dhe tensioneve”, shprehet Hoxha.
Në një tjetër pjesë të mesazhit, ajo përcjell një qëndrim të prerë përballë situatës së krijuar, duke theksuar se televizioni nuk ka arsye të tërhiqet nga arritjet e tij.
“Nuk kemi asgjë për të fshehur dhe asnjë arsye për ta ulur krenarinë tonë. 25 vitet tona meritojnë të festohen. Dhe do të festohen”, shkruan Lori.
Mesazhin ajo e përmbyll duke shprehur krenarinë për stafin dhe duke theksuar se forca e Top Channel është dëshmuar veçanërisht në periudhat e vështira.
“Top Channel nuk e ka treguar forcën duke festuar sukseset e veta, por duke qëndruar në këmbë kur ka qenë më e vështirë. Dhe kështu do të vazhdojmë”, përfundon ajo.
Për momentin, nuk është bërë e ditur një datë e re për organizimin e festës së 25-vjetorit.