“Sot u ofendova”/ Egla Ceno reagon pas përplasjes me Edi Ramën

September 13, 2026


Egla Ceno ka reaguar publikisht pas përplasjes verbale me kryeministrin Edi Rama gjatë një takimi në Berat, ku po diskutohej reforma territoriale. Përmes një postimi në Instagram, aktorja ka shprehur pakënaqësinë për mënyrën se si, sipas saj, u trajtua gjatë takimit.

“Reforma territoriale: sot u ofendova si artiste, si qytetare dhe si grua nga ai që gruan shqiptare e respekton vetëm për fasadë. Doja thjesht të dëgjohej zëri i Poliçanit. Isha super e qetë”, shkruan Ceno.

Ajo ngriti më tej shqetësimin se qytetarëve të zonave të prekura nga reforma nuk po u jepet mundësia të shprehin realisht mendimin e tyre. Sipas saj, takimet po zhvillohen më shumë për të komunikuar një vendim sesa për të dëgjuar komunitetet.

“Ka një ‘big problem’, qytetarët nuk po dëgjohen për reformën territoriale. Po mblidhen dhe po përdoren si dekor nëpër salla pa praninë e mediave. Nuk po dëgjojnë, po komunikojnë vendimin e tyre”, vijoi ajo.

Ceno pretendoi gjithashtu se pasiguria në qytetet e vogla po reflektohet edhe te familjet dhe shkollat, duke shkruar se kanë nisur çregjistrime të fëmijëve dhe duke e lidhur këtë me shqetësimet për shpopullimin.

“Kaq kisha! Tani për tani”, përfundoi aktorja reagimin e saj.



Source link