Djali në të cilin Fifi ishte e dashuruar marrëzisht, po vuan nga një sëmundje e rrallë – gjendja e tij është e rënda, dalin PAMJET – Ora Info
Granit Cana ka rrëfyer për herë të parë në detaje për gjendjen e tij të rënduar shëndetësore, me të cilën, sipas tij, po përballet prej rreth shtatë vitesh dhe për të cilën ende nuk ka marrë një diagnozë përfundimtare.
Ish-banori i “Big Brother VIP Albania” ka folur hapur për këtë periudhë të vështirë të jetës së tij në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, ku ka treguar se problemet shëndetësore nisën gradualisht dhe me kalimin e viteve u bënë gjithnjë e më shqetësuese.
Cana ka treguar se në fillim kishte episode të shkurtra të shikimit të turbullt, marramendje dhe shqetësime të tjera, të cilat fillimisht zgjasnin vetëm disa minuta dhe më pas largoheshin.
Megjithatë, situata nuk mbeti e tillë. Me kalimin e kohës, problemet u shtuan dhe ndikuan edhe në përditshmërinë e tij, duke bërë që ai të përballej me momente të vështira fizike dhe emocionale.
Një pjesë e kësaj periudhe përkon edhe me pjesëmarrjen e tij në edicionin e parë të “Big Brother VIP Albania”, ku Graniti u bë një prej personazheve të njohur për publikun shqiptar.
Gjatë qëndrimit në shtëpinë e famshme, banorët kishin vërejtur në disa raste se diçka nuk ishte në rregull me sytë e tij. Cana ka treguar se edhe pse shqetësimet shëndetësore ishin të pranishme, për të ishte e vështirë t’i shpjegonte plotësisht ato, pasi çdo reagim apo sjellje brenda një formati televiziv mund të interpretohej ndryshe.
Në atë periudhë, Graniti krijoi gjithashtu një raport të afërt me këngëtaren Fifi, me të cilën ndau një pjesë të rëndësishme të eksperiencës së tij brenda shtëpisë së “Big Brother VIP Albania”.
Pas përfundimit të këtij rrugëtimi televiziv, gjendja shëndetësore e Granitit, sipas rrëfimit të tij, u përkeqësua ndjeshëm. Ai tregoi se kishte pasur raste kur e kishte të vështirë edhe artikulimin e fjalëve dhe përqendrimin.

Pikërisht në atë periudhë nisën edhe kontrollet e shumta mjekësore, me Granitin dhe familjarët e tij që fillimisht dyshuan se problemi mund të kishte lidhje me sytë.
Ai iu nënshtrua ekzaminimeve te disa oftalmologë në Gjermani, por rezultatet treguan se sytë e tij ishin të shëndetshëm. Më pas, mjekët i rekomanduan ekzaminime të tjera, përfshirë rezonancë magnetike, me qëllim që të përjashtohej mundësia e një tumori apo ndonjë problemi tjetër neurologjik.
“Shkuam te dy-tre neurologë, besa edhe te neurokirurgë. Kemi bërë kontrolle për qarkullimin e gjakut në sy, kemi kontrolluar veshët, kemi bërë analiza gjaku dhe disa herë është përsëritur rezonanca magnetike. Por nuk del asgjë”, rrëfeu ai.
Përveç vështirësive fizike, kjo situatë ka ndikuar rëndë edhe në gjendjen e tij emocionale. Graniti ka treguar se ka kaluar një periudhë të gjatë depresioni, duke u mbyllur në vetvete dhe duke përjetuar momente jashtëzakonisht të vështira.
“Kam pasur momente shumë të vështira. Kam qenë ndoshta dy vjet shumë në depresion. Jam mbyllur në dhomë, kam qarë para fëmijëve, kam përjetuar shumë stres. Ka pasur momente, besomëni, edhe më të këqija, por kur kam menduar për familjen…”, është shprehur Cana.
Pavarësisht se deri tani nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare për problemin me të cilin po përballet, ai thotë se familja dhe besimi kanë qenë dy prej burimeve kryesore të forcës për të vazhduar përpara.
Graniti ka treguar se ka kërkuar edhe ndihmë shpirtërore, duke theksuar se në momentet kur shkenca nuk arrin të japë një përgjigje të qartë, njeriu kërkon shpresë dhe forcë edhe përmes besimit.
“Jam besimtar shumë. Forca duhet të vijë nga diku. Edhe kur shkenca nuk e ka një përgjigje, ndoshta ka gjëra më të mëdha që të japin shtysë dhe forcë për të bërë përpara dhe për të mos u dorëzuar”, tha ai.
Ish-banori i “Big Brother VIP Albania” ka treguar gjithashtu se gjatë kësaj periudhe ka marrë qindra mesazhe nga persona që pretendojnë se po përballen me probleme të ngjashme shëndetësore.
Ai u ka bërë thirrje atyre që të mos humbin shpresën dhe të vazhdojnë të kërkojnë përgjigje, duke u mbështetur te familja dhe njerëzit e tyre të afërt.
Ndërkohë, Fifi, me të cilën Graniti kishte krijuar një raport të afërt gjatë eksperiencës në “Big Brother VIP Albania”, tashmë ka vazhduar jetën e saj. Këngëtarja është e martuar me Adis Patushin dhe së bashku janë prindër të një djali.
Rrëfimi i Granit Canës ka prekur shumë, pasi pas figurës që publiku njohu në ekran fshihet një betejë e gjatë personale, për të cilën ai ka zgjedhur të flasë hapur vetëm tani./ORAinfo/
