Kida kurorëzoi dashurinë me Ajbin në një ceremoni të organizuar në Romë, por gjatë mbrëmjes një tjetër moment festiv ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale.
Luana Vjollca, e cila ishte mes të ftuarve në dasmë, është surprizuar nga miqtë e saj me rastin e ditëlindjes. Në videon që po qarkullon në rrjet dëgjohen personat pranë saj duke kënduar njëzëri “Shumë urime për ty”, ndërsa moderatorja feston së bashku me ta.
Fakti që urimi për ditëlindjen e Luanës është bërë gjatë dasmës së Kidës ka sjellë reagime të ndryshme në rrjet. Disa ndjekës e kanë konsideruar të papërshtatshme që një moment i tillë të zhvillohej gjatë festës së dikujt tjetër.
“Skandal”, shkruan një prej komentueseve, ndërsa të tjerë kanë ngritur të njëjtën pikëpyetje, duke argumentuar se vëmendja gjatë mbrëmjes duhej të mbetej te çifti që po martohej.
Megjithatë, nga pamjet e publikuara nuk mund të përcaktohet nëse momenti ishte organizuar nga vetë Luana apo nëse ishte thjesht një surprizë spontane e miqve të saj. Po ashtu, nuk ka ndonjë reagim që të tregojë se Kida apo çifti e kanë konsideruar problem këtë episod.
Pavarësisht kësaj, videoja ka mjaftuar për të hapur diskutim në rrjet, duke e kthyer festimin e shkurtër të ditëlindjes së Luanës në një prej momenteve më të komentuara nga dasma e Kidës.