Pas 45 vitesh karrierë, ndahet nga jeta stomatologia e nderuar në qytetin e Fierit – Lajme Big Brother Vip
Mbrëmja e sotme ka sjellë një lajm mjaft të hidhur për qytetin e Fierit, pasi stomatologia e mirënjohur, Vera Skëndaj, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare. Ajo u nda nga jeta këtë të shtunë, duke lënë pas një karrierë të gjatë 45-vjeçare, gjatë së cilës i shërbeu me përkushtim pacientëve të saj. Burime bëjnë me dije se ajo humbi jetën si pasojë e një beteje të gjatë me kancerin e gjirit.
Megjithëse tregoi forcë të madhe në përballjen me sëmundjen, mjekja nuk arriti t’ia dalë mbanë.
Humbja e saj ka shkaktuar dhimbje të thellë te kolegët, pacientët dhe familjarët, të cilët e vlerësonin si një figurë me autoritet dhe respekt të madh në qytet.
E lindur në Kukës më 6 prill 1955, ajo u shpërngul me familjen në Fier, ku edhe mori edukimin bazë dhe të mesëm. Rrugëtimin akademik e përmbylli në Tiranë, ku u diplomua për stomatologji.
Ceremonia e lamtumirës për mjeken Skëndaj do të mbahet këtë të diel në qytetin e Fierit, mes miqve, kolegëve dhe familjarëve.
Redaksia jonë shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerës në këto çaste të vështira.