Çfarë qëndron pas kundërshtimeve për ndërtimin e një kishe në Vushtrri?

August 21, 2026


Bekimi i një trualli në fshatin Zogaj të Vushtrrisë, ku Dioqeza Prizren-Prishtinë planifikon në të ardhmen ndërtimin e një kishe, nxiti protesta të banorëve të disa fshatrave të komunës veriore kosovare, dhe një debat publik në Kosovë.

Por, për ceremoninë e mbajtur më 17 gusht ka qëndrime të ndryshme nga autoritetet lokale të Vushtrrisë dhe Kisha Katolike e Kosovës.

Komuna e Vushtrrisë thotë se nuk ka pasur njoftim paraprak për vendosjen e gurit të themelit apo kërkesë për leje ndërtimi. Kisha, ndërkaq, thotë se autoritetet ishin njoftuar për ceremoninë, por këmbëngul se ajo nuk shënoi nisjen e punimeve për ndërtimin e kishës.

Banorët paralajmërojnë sërish protestë në Zagorë kundër projektit për ndërtimin e kishës

Si nisi polemika?
Në fund të korrikut, shqetësimet për planin për ndërtimin e kishës u bënë publike përmes një reagimi të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në Vushtrri, i cili tha se në zonën ku planifikohet ndërtimi “nuk jeton asnjë besimtar katolik dhe të gjitha fshatrat përreth janë me myslimanë”.

“Çdo projekt që mund të perceptohet si provokues ose që cenon ndjenjat e komunitetit duhet të trajtohet me përgjegjësi dhe maturi”, tha Këshilli në reagim.

Tentuan të vendosin gurthemelin e një kishe në Zagorë, Komuna e Vushtrrisë: Nuk ka leje ndërtimi

Ky institucion nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment të mëtejmë.

Por, nga Kisha Katolike thonë për REL-in se e gjithë ngjarja e 17 gushtit u keqkuptua. Sipas dom Fran Kolës, vikar ipeshkvor, atë ditë vetëm u bë bekimi i tokës, dhe u vendos një gur i themelit, ku në të ardhmen planifikohet ndërtimi i objektit fetar.

Për këtë ceremoni, ai thotë se ka njoftuar paraprakisht kryetarin e Vushtrrisë, ndërsa në korrik edhe Policinë e Kosovës.

Siç shpjegon Kola për REL-in, Dioqeza kishte planifikuar që më 18 gusht të mbahej një meshë për bekimin e truallit në Zogaj, si dhe për pagëzimin e disa personave.

Vendoset gurthemeli i Kishës Katolike “Shën Flori dhe Lauri” në Zogaj të Vushtrrisë

Pagëzimi, megjithatë, u mbajt në Katedralen Nënë Tereza, në Prishtinë, “për shkak të ruajtjes së qetësisë dhe paqes në Vushtrri dhe mes popullit shqiptar”, thotë Kola.

Kush qëndron pas planit për ndërtim?
Sipas Kolës, toka është pronë e Dioqezës, me një sipërfaqe prej 11.266 metrash katrorë, e dhuruar nga familja Musa nga Maxhunaj.

Këshilli i BIK-ut në Vushtrri ngriti dyshime se prapa planeve për ndërtimin e kishës fshihen grupe individësh që, sipas tij, janë të njohura për “retorikë përçarëse” dhe “nxitje të urrejtjes ndërfetare”.

Kola thotë se beson që BIK-u, me këto pretendime, u është referuar lëvizjeve që bëjnë thirrje për braktisjen e islamit dhe konvertimin në krishterim, përfshirë Lëvizjen e Deçanit dhe Lëvizjen për Rikthim.

​Pagëzime në Prishtinë pas ceremonisë së ndaluar në Zagorë, Gjergji: Nuk duam të përplasemi me vëllezërit tanë

“Asnjë lëvizje, as parti politike nuk është e përfshirë. Absolutisht jo”, thotë ai, duke shtuar se Dioqeza është në krye të nismës.

Nga Lëvizja për Rikthim thonë për REL-in se nuk janë të përfshirë në këtë projekt, por se vetëm kanë shpërndarë, me kërkesë të banorëve, njoftimin për ngjarjen e 17 gushtit.

Qëllimi, sipas tyre, nuk është ndërtimi i kishave, por që “shqiptarët në mënyrë paqësore të rikthehen në besimin e të parëve”, thotë Arbër Gashi nga kjo organizatë.

Kosova është shtet laik. Në regjistrimin e fundit të popullsisë, të mbajtur më 2024, 93.49 për qind e qytetarëve u deklaruan myslimanë, 2.31 për qind ortodoksë dhe 1.75 për qind katolikë.

​“Ishte amaneti i babait tonë”, familja Musa dhuroi tokën për kishën në Zagorë

Në rrjetet sociale ka pasur shpesh përplasje mes besimtarëve myslimanë dhe katolikë lidhur me çështjen e konvertimeve, ndërsa reagime të shumta pati edhe për planet për ndërtimin e kishës në komunën e Vushtrrisë.

Gashi thotë se Musë Musa, të cilin e përmend si një prej personave që ka dhuruar tokën për ndërtimin e kishës, nuk është pjesë e Lëvizjes për Rikthim.

Një avokat ka paraqitur më herët në Prokurorinë Speciale kallëzim penal ndaj Musës, duke e akuzuar për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit. Avokati pretendon se Musa, në rrjetet sociale, ka bërë thirrje për vrasjen e myslimanëve.

Nga Prokuroria Speciale nuk u deklaruan për REL-in rreth këtij rasti.

Gashi thotë se Lëvizja për Rikthim nuk përkrah asnjë formë të gjuhës së urrejtjes apo ofendimet e pjesëtarëve të një bashkësie tjetër fetare. Edhe Dioqeza deklaron se dënon këdo që ofendon besimtarët e cilësdo fe.

“Kisha nuk do të ndërtohet” – Asamblisti i Nismës në Vushtrri kundërshton projektin në Zagorë

Kur do të ndërtohet kisha?
Nga Dioqeza thonë se, sipas të dhënave që kanë, në Vushtrri janë diku mbi 100 besimtarë katolikë – dhe “kur të arrihet numri i mjaftueshëm do t’iu drejtohemi organeve kompetente me projekt dhe lutje”.

Kjo shifër ndryshon ndjeshëm nga të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, sipas të cilave vetëm 37 persona në komunën e Vushtrrisë u deklaruan katolikë.

Sipas Kolës, duhet të jenë mbi 300 deri në 500 persona në mënyrë që Dioqeza ta shtyjë përpara projektin.

Banorët e Zagorit kundërshtojnë ndërtimin e kishës në Vushtrri

“Ndërtimi as nuk ka qenë prezent në mendjen tonë, as në veprimin tonë, as nuk do të jetë derisa nuk do të kemi një subjekt të mjaftueshëm që të ndërtojmë një objekt”, thotë Kola, duke iu referuar ngjarjes së 17 gushtit.

Kushtetuta e Kosovës garanton lirinë e besimit dhe fesë të secilit qytetar, ndërkaq konfensionet fetare janë të lira të rregullojnë vetë veprimtarinë fetare dhe ritet. Ato, po ashtu, kanë të drejtë të themelojnë edhe shkolla fetare e institucione bamirëse.




Source link