A e ndihmuan Arbana dhe Edi në “Ferma VIP 3”?
Miqësia e Indri Shirokës me Arbana Osmanin dhe Eduart Grishajn u komentua gjatë qëndrimit të aktorit në “Ferma VIP 3”, duke ngritur pikëpyetje nëse njohja e mëparshme me ta mund t’i kishte dhënë ndonjë avantazh në lojë.
Pas përfundimit të eksperiencës në reality show, Shiroka i është përgjigjur për herë të parë këtyre komenteve. Në një intervistë për revistën “Bordo”, ai ka mohuar se është favorizuar nga produksioni, duke kujtuar se si moderatorja, ashtu edhe opinionistët, nuk i kanë kursyer kritikat ndaj tij.
“Nuk e besoj, thjesht për faktin që Arbana nuk më ka kursyer, edhe opinionistët po ashtu. Nuk mendoj absolutisht që më kanë favorizuar, përkundrazi”, është shprehur aktori.
Indri pranon se miqësia me Arbanën dhe Eduartin ka ekzistuar prej kohësh dhe nuk është mbajtur asnjëherë e fshehtë. Sipas tij, kjo lidhje mund të ketë pasur madje efektin e kundërt, duke krijuar te një pjesë e publikut idenë se ai trajtohej ndryshe nga konkurrentët e tjerë.
“Mund të më ketë penalizuar në sytë e publikut, sepse ka pasur këtë paragjykim për faktin që unë kam një miqësi që nuk është absolutisht e fshehtë dhe e kemi deklaruar se kemi punuar bashkë”, ka treguar Shiroka.
Në të njëjtën intervistë, aktori është ndalur edhe te loja e ish-konkurrentëve të tjerë, duke veçuar Romirin si personin që, sipas tij, ka ditur më mirë të menaxhojë situatat dhe dinamikat gjatë qëndrimit në fermë.
“Romiri, edhe pse nga fundi e ka lëshuar pak…! Romiri ishte super aktor dhe e ka bërë shumë mirë. Aktor për si e shoh unë, është një person i matur, që mendohet njëqind herë para se të thotë një fjalë dhe ka në kokë një strukturë të dinamikave që ndodhin dhe në bazë të atyre sillet”, ka deklaruar Shiroka.