Shpërthen Etna, mbyllet pjesërisht hapësira ajrore mbi Siçili
1
Vullkani Etna ka rritur aktivitetin e tij, duke shkaktuar lëshimin e hirit vullkanik në atmosferë dhe pezullimin e përkohshëm të një pjese të trafikut ajror mbi Siçili.
Aeroporti i Katanias ka njoftuar se, për shkak të resë së hirit që është zhvendosur në jugperëndim të vullkanit, mbërritjet e avionëve janë pezulluar deri në orën 17:00.
Pasagjerëve u është bërë thirrje që të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre drejtpërdrejt me kompanitë ajrore para se të nisen drejt aeroportit.
Autoritetet po e monitorojnë vazhdimisht situatën, ndërsa kufizimet në trafikun ajror mund të ndryshojnë në varësi të lëvizjes së resë së hirit dhe kushteve të motit.
Ende nuk është bërë e ditur se sa do të zgjasin kufizimet e trafikut ajror.