Po tentojmë t’i shmangim zgjedhjet, LDK duhet të ndihet e përfaqësuar në institucione
2
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se takimi me kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kaluar në frymë të mirë, ndërsa ka bërë të ditur se diskutimet mes palëve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Abdixhiku tha se në takimin e dytë pas zgjedhjeve të 7 qershorit, LDK-ja mori pjesë me vullnet të mirë dhe me synimin për t’i shmangur zgjedhjet e reja.
“Morëm pjesë në takimin e dytë pas 7 qershorit me vullnet të mirë, respektim të rezultatit zgjedhor dhe gatishmërinë si LDK për të shmangur zgjedhjet e reja. Kështu e respektojmë interesin e LDK-së dhe shtetin. Ishte takim i mirë, i mbarë. I trajtuam çështjet e ndryshimeve programore, politike dhe të ardhmeve strategjike. Do të përpiqemi edhe ditëve në vazhdim të kemi diskutime më thelbësore”, ka thënë Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka përsëritur se partia që ai drejton qëndron në parimet që tashmë i ka bërë publike, duke kërkuar një marrëveshje që, sipas tij, do të siguronte balancë institucionale dhe demokratike.
“Qëndrojmë brenda parimeve tashmë të bëra publike. Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që të ruhet balanca institucionale dhe të ketë balancë demokratike brenda institucioneve. Brenda këtyre balancave, LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar, në të kundërt konstelacioni politik nuk do ta ketë fuqinë e nevojshme”, u shpreh ai.
Abdixhiku paralajmëroi se, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje politike, vendi mund të përballet me zgjedhje të reja.
“Nëse s’bëjmë asgjë, i vetmi skenar i garantuar janë zgjedhjet e reja”, deklaroi kryetari i LDK-së.
Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut është zhvilluar në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit politik dhe konstituimin e institucioneve të reja.