Rrahje për çmimin e udhëtimit në Aeroportin “Adem Jashari” – taksisti godet kolegun me shufër metalike, ndalohet për 48 orë
1
Një mosmarrëveshje mes dy taksistëve në parkingun e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka përfunduar me dhunë fizike, ku njëri prej tyre dyshohet se e goditi tjetrin me një shufër metalike.
Sinjali mëson se i dyshuari është Hysen Jashanica rreth 51-vjeçar, ndërsa viktimë A.L rreth 64-vjeçar.
Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur më 31 korrik, rreth orës 16:00, në parkingun e aeroportit, ku fillimisht kishte shpërthyer një debat verbal mes dy taksistëve lidhur me çmimin e transportit.
Situata më pas ka eskaluar, ndërsa, sipas deklarimit të viktimës, Hysen Jashanica e ka goditur me një shufër metalike, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Lipjan, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me vendim të Prokurores së Shtetit, Ardiana Veseli, është iniciuar procedurë për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa Hysen Jashanica është ndaluar për 48 orë. Rasti mbetet nën hetim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.