Shpërthim në një minierë në Pakistan, 34 minatorë humbin jetën
1
Të paktën 34 minatorë kanë humbur jetën pas një shpërthimi të fuqishëm të metanit në një kompleks minierash qymyri në zonën Sorange, pranë qytetit të Quetta-s, në provincën pakistaneze të Baluçistanit.
Dy minatorë të tjerë rezultojnë ende të bllokuar nën tokë, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë operacionet në thellësi mbi 1.200 metra.
Sipas autoriteteve, në momentin e shpërthimit në galerinë e prekur ndodheshin 36 punëtorë. Operacioni i kërkim-shpëtimit po zhvillohet në kushte tepër të vështira, ndërsa shpresat për të gjetur të mbijetuar janë gjithnjë e më të pakta për shkak të mungesës së oksigjenit pas shpërthimit.
Qeveria provinciale ka premtuar kompensim financiar për familjet e viktimave dhe ka urdhëruar nisjen e një hetimi për shkaqet e tragjedisë.
Sindikatat e minatorëve kanë akuzuar kompanitë për neglizhencë dhe mosrespektim të standardeve të sigurisë, duke theksuar se aksidente të tilla janë të shpeshta në minierat e Baluçistanit për shkak të kushteve të rrezikshme të punës.