Shkendije Berisha Pacolli : Ndjenja e përkatësisë
3
Isha e nderuar të jem paneliste në Konferencën “Diaspora Shqiptare: Identiteti, Arsimi dhe Diplomacia Publike”, e organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Shtutgart, në bashkëpunim me Departamentin për Diasporë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Universitetin e Prishtinës dhe GIZ-in.
Ishte një kënaqësi e veçantë të ligjëroja mbi rolin e familjes dhe komunitetit në ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe kulturës sonë. Për mua, kjo nuk është thjesht një temë diskutimi, por një mision dhe një pasion që më ka shoqëruar gjatë gjithë rrugëtimit tim si mërgimtare prej gati 30 vitesh. Gjithçka që lidhet me ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, gjuhës shqipe dhe mbështetjen e bashkatdhetarëve tanë ka një rëndësi të veçantë për mua. Prandaj, çdo mundësi për të kontribuar në këtë drejtim e konsideroj privilegj dhe përgjegjësi.
Si këshilltare në fushën e psikologjisë, e di se ndjenja e përkatësisë është një nga nevojat themelore të njeriut. Njohja e rrënjëve tona, e gjuhës, kulturës dhe historisë sonë, i ndihmon fëmijët të ndërtojnë një identitet të shëndetshëm dhe vetëbesim të qëndrueshëm.

Ndërsa si nënë, kam pasur gjithmonë prioritet që vajzat e mia, edhe pse të lindura dhe të rritura në Gjermani, ta mësojnë gjuhën shqipe, historinë dhe kulturën tonë. Po aq e rëndësishme ka qenë që ato të kuptojnë se të jetosh mes dy kulturave nuk është dobësi, por një pasuri e jashtëzakonshme. Të marrësh më të mirën nga të dyja kulturat, pa harruar asnjëherë se kush je dhe nga vjen, është një nga vlerat më të mëdha që mund të ketë çdo mërgimtar. Për këtë arsye, kam bërë gjithmonë përpjekje që vajzat e mia të krijojnë edhe një lidhje emocionale me Kosovën, sepse përkatësia nuk ndërtohet vetëm përmes dijes apo teorisë, por edhe përmes emocioneve, kujtimeve dhe përjetimeve.
Për mua, shembulli i arbëreshëve është dëshmia më e fortë se familja shqiptare është qeliza themelore e ruajtjes së gjuhës, identitetit dhe historisë sonë, kudo që jetojmë.
Mirënjohëse për ftesën, për diskutimet e vlefshme, për njerëzit e mrekullueshëm që takova atë ditë dhe për mundësinë që të kontribuoj në një temë kaq të rëndësishme për të ardhmen e komunitetit tonë.