Vendpunishtja ku humbi jetën i riu në rrugën “A” nuk ishte inspektuar më parë
3
Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se vendpunishtja e subjektit “Vëllezërit Asllani”, ku ndodhi aksidenti gjatë montimit të një vinçi dhe ku një punëtor humbi jetën e u lëndua një tjetër, nuk ishte inspektuar më herët.
Sipas Inspektoratit, arsyeja ishte se punimet ndodheshin në fazën fillestare të ndërtimit, përkatësisht në realizimin e themeleve.
Aksidenti ndodhi gjatë montimit të një vinçi (krani), ku dy punëtorë u lënduan. Njëri prej tyre nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, ndërsa tjetri pësoi lëndime trupore.
Inspektorët e Punës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po zhvillojnë veprimet inspektuese në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse.
Nga Inspektorati kanë thënë se ende është herët të përcaktohet shkaku i saktë i aksidentit, pasi nevojiten hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të zbardhur rrethanat dhe për të vlerësuar nëse janë respektuar masat e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Institucioni ka shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit e punëtorit që humbi jetën, ndërsa të lënduarit i ka uruar shërim të shpejtë.